“Sot e gjithë bota po kalon një situatë shumë serioze dhe të tensionuar dhe ndikimi i saj po ndihet nga të gjithë ne”, tha Modi pas takimit me kancelarin austriak
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi ka deklaruar se konfliktet në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë po ndikojnë në të gjithë botën, duke e përshkruar situatën aktuale globale si “serioze dhe të tensionuar” pas bisedimeve në New Delhi me kancelarin austriak, Christian Stocker, transmeton Anadolu.
“Sot e gjithë bota po kalon një situatë shumë serioze dhe të tensionuar dhe ndikimi i saj po ndihet nga të gjithë ne”, tha Modi pas takimit. Ai tha se në një “mjedis global të tensionuar”, India dhe Austria pajtohen se konfliktet ushtarake nuk mund të zgjidhin mosmarrëveshjet.
“Qoftë Ukraina apo Azia Perëndimore, ne mbështesim një paqe të qëndrueshme dhe afatgjate”, tha ai.
Deklaratat e Modit erdhën mes tensioneve rajonale pas ofensivës së SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit, e cila ka lënë të vrarë më shumë se 3.300 njerëz që nga 28 shkurti. Një armëpushim dyjavor mes Washingtonit dhe Teheranit u shpall më 8 prill.
Kryeministri indian gjithashtu njoftoi në rrjetin social amerikan X se ka zhvilluar “bisedime shumë produktive” me kancelarin Stocker.
“Bisedimet tona sot përfshinë mënyra për të thelluar bashkëpunimin në fusha si inovacioni, infrastruktura dhe qëndrueshmëria. Jemi të përkushtuar të shtojmë energji të re në lidhjet tregtare dhe investuese”, tha ai duke shtuar se sektorët si mbrojtja dhe gjysmëpërçuesit paraqesin “potencial të madh për marrëdhënie më të ngushta”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Indisë, Randhir Jaiswal tha se pas bisedimeve janë arritur 15 rezultate bashkëpunimi, që mbulojnë fusha si mbrojtja, teknologjia, tregtia, inovacioni, zhvillimi i aftësive dhe lufta kundër terrorizmit.









