Kryeministri i Kosovës Kurti përshëndet përpjekjet e Trumpit për paqe në Gaza

“Përshëndesim dhe vlerësojmë udhëheqjen e presidentit Donald Trump në sigurimin e një marrëveshjeje për arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në fazën fillestare të marrëveshjes së paqes…”, ka shkruar Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur përpjekjet e presidentit amerikan Donald Trump drejt sigurimit të marrëveshjes midis Izraelit dhe Hamasit, e cila pritet të hyjë në fuqi për fazën e parë të planit të armëpushimit në Gaza, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm drejt përfundimit të “dy viteve të vuajtjeve të mëdha”.

“Përshëndesim dhe vlerësojmë udhëheqjen e presidentit Donald Trump në sigurimin e një marrëveshjeje për arritjen e një armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në fazën fillestare të marrëveshjes së paqes, duke i dhënë fund dy viteve të vuajtjeve të mëdha”, ka shkruar Kurti në një postim në platformën amerikane X.

Të mërkurën, Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kanë rënë dakord për fazën e parë të planit të tij të armëpushimit për Gazën.

Më 29 shtator, ai prezantoi një plan armëpushimi me 20 pika për Gazën, që përfshin lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të rreth 2.000 të burgosurve palestinezë, një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës.

Faza e dytë e planit parashikon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force sigurie të përbërë nga palestinezë dhe trupa nga vende arabe e islame, si dhe çarmatimin e Hamasit. Po ashtu, plani parashikon financim arab e islam për administratën e re dhe rindërtimin e Rripit, me pjesëmarrje të kufizuar të Autoritetit Palestinez.

Ndërsa shumica e vendeve arabe dhe myslimane e kanë mirëpritur planin, disa zyrtarë kanë deklaruar se shumë detaje në të kërkojnë diskutim dhe negociata për t’u zbatuar plotësisht.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi