Kryeministri i Francës Lecornu jep dorëheqje vetëm një muaj pasi u emërua

Kryeministri i ri i Francës, Sebastien Lecornu, ka dhënë dorëheqje të hënën, vetëm 14 orë pasi e kishte emëruar kabinetin e tij të ri, pasi aleatët dhe kundërshtarët e kërcënuan se do ta rrëzonin Qeverinë e tij.

Dorëheqja e tij e shpejtë ishte e papritur dhe e pashembullt, duke e thelluar edhe më tej krizën politike në Francë.

Partia e ekstremit të djathtë, Tubimi Kombëtar, kërkoi menjëherë nga presidenti Emmanuel Macron të shpallë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Pas konsultimeve disajavore me parti nga i gjithë spektri politik, Lecornu, i cili është aleat i ngushtë i Macronit, kishte emëruar ministrat e tij të dielën, dhe ata pritej të mbanin mbledhjen e parë të kabinetit të hënën pasdite.

Por, përbërja e re e kabinetit zemëroi si kundërshtarët, ashtu edhe aleatët, të cilët e konsideruan atë ose tepër të djathtë, ose pamjaftueshëm të tillë, duke ngritur pyetje se sa gjatë mund t’ia dalë ajo në një kohë kur Franca tashmë ndodhet në krizë të thellë politike, me një Parlament ku asnjë grup nuk ka shumicë.

Lecornu dorëzoi dorëheqjen e tij para Macronit të hënën në mëngjes.

“Zoti Sebastien Lecornu ka paraqitur dorëheqjen e Qeverisë së tij para presidentit të Republikës, i cili e ka pranuar atë”, tha zyra për shtyp e Elizesë.

Politika franceze është bërë gjithnjë e më e paqëndrueshme që prej rizgjedhjes së Macronit në vitin 2022, për shkak të mungesës së një partie apo koalicioni me shumicë parlamentare.

Vendimi i Macronit për të thirrur zgjedhje të parakohshme parlamentare vitin e kaluar e thelloi edhe më shumë krizën, duke prodhuar një Parlament edhe më të ndarë.

Lecornu, i cili u emërua muajin e kaluar, ishte kryeministri i pestë i Macronit brenda dy vjetësh.

“Nuk mund të ketë kthim në stabilitet pa kthim në kutitë e votimit dhe shpërbërjen e Asamblesë Kombëtare”, tha lideri i Tubimit Kombëtar, Jordan Bardella, pas dorëheqjes së Lecornut.

Kategoritë
BotaLajme