Kryeministri francez Sébastien Lecornu i ka thënë parlamentit se mbështet pezullimin e reformave të diskutueshme të pensioneve të vitit 2023, përballë votave vendimtare të mosbesimit më vonë këtë javë, ka raportuar BBC
Ndryshimet, të cilat e rritën moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, u konsideruan si reforma themelore në presidencën e Emmanuel Macron.
“Këtë vjeshtë do t’i propozoj parlamentit që të pezullojmë reformën e pensioneve të vitit 2023 deri në zgjedhjet presidenciale [të vitit 2027]”, tha Lecornu, i cili u prit me duartrokitje nga partitë e krahut të majtë.
Lecornu u riemërua kryeministër javën e kaluar vetëm katër ditë pasi dha dorëheqjen dhe ka nevojë për mbështetjen e deputetëve socialistë në parlament nëse qeveria e tij do të mbijetojë.
Partitë opozitare në të djathtën ekstreme dhe të majtën ekstreme kanë thirrur vota besimi, të njohura si vota “cenzure” ndaj qeverisë së Lecornu-së, për të enjten në mëngjes dhe po kërkojnë zgjedhje parlamentare.
Socialistët thanë se do të ishin të përgatitur të mbështesnin qeverinë e re, por vetëm nëse ajo premton një pezullim të plotë të ndryshimeve të pensioneve të Macron.
“Nëse ai nuk i thotë shprehimisht fjalët ‘pezullim i menjëhershëm dhe i plotë i reformës së pensioneve’, kjo do të jetë censurë”, tha më parë në televizionin francez deputeti socialist Laurent Baumel.
“Ai po e mban fatin e tij në duar. Ai e di çfarë duhet të bëjë nëse nuk dëshiron të jetë kryeministri që jep dorëheqjen çdo javë.”
Reformat u miratuan më në fund në parlament në mars 2023, më pak se një vit pasi Macron u votua për një mandat të dytë presidencial.
Kishte pasur muaj debati politik, grevash dhe protestash në rrugë, dhe në fund projektligji duhej të kalonte pa votim në parlament duke përdorur një mekanizëm kushtetues të njohur si 49:3.
Javën e kaluar, Lecornu tha se ishte diçka që shumë francezë e mbanin mend si një “plagë mbi demokracinë”.
Të martën ai ua bëri të qartë deputetëve se pezullimi i reformës së pensioneve do të kushtonte 400 milionë euro (350 milionë paund) në vitin 2026 dhe 1.8 miliardë euro të tjera (1.57 miliardë paund) në vitin 2027. Kjo do të duhet të “kompensohet nga kursime të tjera”, tha Lecornu.
Lecornu është kryeministri i tretë i Francës gjatë vitit të kaluar, por edhe nëse mbijeton, ai duhet të kalojë në parlament një buxhet që ul deficitin buxhetor që shkon në 5.4% të prodhimit ekonomik (PBB) këtë vit.
Borxhi publik i Francës në fillim të këtij viti ishte 3.4 trilionë euro, ose pothuajse 114% e PBB-së, i treti më i lartë në eurozonë pas Greqisë dhe Italisë.