Duke iu referuar presionit të Trumpit për luftën në Iran, Starmer përsëriti se Mbretëria e Bashkuar “nuk do të tërhiqet në këtë luftë”, pasi kjo nuk është në interesin kombëtar britanik
Kryeministri britanik, Keir Starmer ka deklaruar se “nuk do të dorëzohet” ndaj presionit të presidentit amerikan Donald Trump, pasi ai sugjeroi rishikimin e marrëveshjes tregtare me Mbretërinë e Bashkuar si pjesë e presionit të fundit lidhur me luftën në Iran, transmeton Anadolu.
“Unë nuk do ta ndryshoj mendjen time. Nuk do të dorëzohem”, tha Starmer gjatë seancës javore të pyetjeve ndaj kryeministrit në Dhomën e Përfaqësuesve.
Deklaratat e tij erdhën si përgjigje ndaj një pyetjeje të liderit të Liberal Demokratëve, Ed Davey, për intervistën e djeshme të presidentit Trump për “Sky News”, gjatë së cilës ai kërcënoi se do të “shqyente” marrëveshjen tregtare me Britaninë si “ndëshkim për mosbashkimin tonë në luftën e tij të çmendur në Iran”.
Starmer përsëriti se Mbretëria e Bashkuar “nuk do të tërhiqet në këtë luftë”, pasi kjo nuk është në interesin kombëtar britanik. “Kjo nuk është lufta jonë dhe ndaj meje është ushtruar shumë presion për të marrë një drejtim tjetër, përfshirë edhe atë që ndodhi mbrëmë. Unë nuk do ta ndryshoj mendjen”, tha ai.
“Ai presion përfshinte edhe atë që ndodhi mbrëmë”, shtoi Starmer duke iu referuar intervistës së Trumpit.
Në intervistë, Trumpi i përshkroi politikat e emigracionit të Mbretërisë së Bashkuar si “të çmendura” dhe shprehu keqardhje për gjendjen e “trishtuar” të marrëdhënieve të veçanta të SHBA-së me Mbretërinë e Bashkuar.
“Kur kishim nevojë për ta, ata nuk ishin aty. Kur nuk kishim nevojë për ta, ata nuk ishin aty. Dhe ende nuk janë aty”, tha Trump në lidhje me marrëdhëniet me Mbretërinë e Bashkuar.









