Udhëheqësi i të gjithë kapelanëve katolikë ushtarakë në Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara ka vënë në dyshim sa e drejtë është fushata ushtarake amerikane në Iran, duke thënë se “sipas teorisë së luftës së drejtë – nuk është”.
Kryeipeshkvi Timothy Broglio, kreu i Kryedioqezës Katolike për shërbimet ushtarake në SHBA, deklaroi për CBS News në një intervistë që do të transmetohet të dielën se, megjithëse Irani “paraqiste një kërcënim bërthamor”, zhvillimi i luftës kundër një shteti përbën “neutralizimin e një kërcënimi para se ai të realizohet”.
Teoria e luftës së drejtë është një kornizë filozofike dhe juridike, e rrënjosur në teologjinë e Shën Augustinit dhe Shën Tomës së Akuinit, e cila shërben për të vlerësuar kur fillimi i një lufte është moralisht i justifikuar (jus ad bellum) dhe si duhet të zhvillohet ajo (jus in bello).
Kjo teori kërkon që lufta të jetë mjeti i fundit, të ndërmerret vetëm për të korrigjuar një padrejtësi serioze dhe të përmbushë kushte si autoriteti legjitim, qëllimi i drejtë dhe proporcionaliteti për arritjen e paqes.
“Zoti Jezus sigurisht që solli mesazhin e paqes dhe – mendoj se lufta është gjithmonë mjeti i fundit. Nuk po jap gjykim sepse vërtet nuk e di. Por mendoj se është e vështirë ta paraqesësh këtë luftë si diçka që do të mbështetej nga Zoti”, tha Broglio për CBS.
Deklaratat e Broglios pritet të thellojnë më tej ndarjet politike rreth justifikimit të luftës, veçanërisht te qytetarët fetarë që zakonisht mbështesin Donald Trumpin. Administrata e Shtëpisë së Bardhë nën Trumpin argumenton se historia e Iranit në sponsorizimin e terrorizmit, së bashku me programin raketor dhe prodhimin e uraniumit të pasuruar, e justifikojnë këtë veprim.
Demokratët, ndërkohë, e quajnë këtë konflikt “luftë me zgjedhje” dhe e akuzojnë Trumpin se ka anashkaluar miratimin e ligjvënësve.
Ndërsa lufta zgjatet, sondazhet e fundit të realizuara nga YouGov dhe The Economist tregojnë se shkalla e miratimit për Trumpin ka rënë në 35%.
Gjatë intervistës për emisionin “Face the Nation”, Broglio u pyet edhe për retorikën e ministrit amerikan të mbrojtjes, Pete Hegseth, i cili u ka bërë thirrje amerikanëve të luten “çdo ditë, në gjunjë” për fitore ushtarake “në emër të Jezu Krishtit”.
Broglio tha se kjo është “disi problematike”, pasi Jezusi predikonte paqen dhe luftën e shihte si mjet të fundit.
Megjithatë, ai e zbuti qëndrimin duke shtuar: “Ndoshta ata kanë informacione që i kanë çuar të mendojnë se ky ishte i vetmi opsion që kishin”.
Broglio tha se qëndron në një linjë me Papën Lav, papën e parë në histori i lindur në SHBA, “i cili bën thirrje për negociata”.
Papa Lav në të vërtetë i ka bërë thirrje Trumpit dhe liderëve të tjerë që të gjejnë mënyra për të ulur dhunën në Lindjen e Mesme dhe të gjejnë një “rrugëdalje” nga lufta me Iranin.
Në një predikim gjatë meshës të enjten, papa tha se misioni i krishterë shpesh është “shtrembëruar nga dëshira për dominim, krejtësisht e huaj për rrugën e Jezu Krishtit”.
Broglio tha se u këshillon ushtarëve katolikë që “të shkaktojnë sa më pak dëm dhe të përpiqen të ruajnë jetët e të pafajshmëve”.
Ai theksoi se në ushtrinë amerikane kundërshtimi i ndërgjegjes është i kufizuar: “nuk mund të kundërshtosh një luftë të caktuar apo një veprim konkret, por vetëm ‘luftën si të tillë’”.
“Pyetja mund të jetë nëse gjeneralët apo admiralët do të kishin hapësirë të thoshin: ‘A mund ta shohim këtë ndryshe?’”, tha ai.
“Por, nga bisedat me disa prej tyre, edhe ata përballen me të njëjtën dilemë.”










