Kroacia: Shtete të BE-së e NATO-s mund t’i bashkohen aleancës ushtarake, veçmas ata që duan t’u japin përkrahje Kosovës e Shqipërisë

Marrëveshja e përbashkët e nënshkruar në mes të Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e bashkëpunimit ushtarak, ka nxitur reagime të shumta, sidomos nga Serbia. Ka pasur përfolje edhe për rritjen e numrit të shteteve që do t’i bashkohen kësaj iniciative. Më së shumti është folur për Bullgarinë, gjë që ka nxitur edhe polemika, megjithatë Sofja zyrtare e ka mohuar 

Besnik Velija

Lidhur me gjithë këtë situatë të krijuar, në një përgjigje ekskluzive për Gazetën Express kanë folur nga Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë. Nga Zagrebi zyrtar kanë thënë për Express se iniciativa është hapur për të gjithë partnerët në BE dhe në NATO, veçanërisht ata që janë të interesuar të ndihmojnë Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e integrimeve.

Ndihmesa mund të jepet sa i përket ekspertizave, zhvillimit të aftësive dhe ndërveprimeve mes forcave të armatosura dhe përpjekjeve në fushën e industrisë së mbrojtjes.

“Siç e ka komunikuar disa herë për publikun Ministria Kroate e Mbrojtjes, Deklarata e Përbashkët e nënshkruar nga Republika e Kroacisë, Republika e Shqipërisë dhe Republika e Kosovës është e hapur për të gjithë aleatët dhe partnerët në mjedisin e BE-së dhe NATO-s, veçanërisht për ata që janë të interesuar të ofrojnë mbështetje aktive për Kosovën dhe Shqipërinë në rrugën e tyre euroatlantike, përmes transferimit të përvojës dhe ekspertizës, zhvillimit të aftësive dhe ndërveprimit të forcave të armatosura, dhe përmes sinergjisë së përpjekjeve në fushën e industrisë së mbrojtjes”, kanë thënë për Gazetën Express nga Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë.

Për shkak të reagimeve të shumta që ishin nxitur nga kjo marrëveshje dhe për shkak të deklarimeve që vinin nga Serbia, të tri shtetet, kanë publikuar të plotë tekstin e marrëveshjes  për bashkëpunim ushtarak.

Teksti i Deklaratës:

1.Promovimi i kapaciteteve mbrojtëse dhe bashkëpunimi për industrinë përkatëse duke:

– Eksploruar zhvillimin dhe blerjen e kapaciteteve mbrojtëse nëpërmjet zgjidhjeve të bashkëpunimit shumëkombësh për të rritur gatishmërinë e forcave tona ushtarake;

– Identifikuar hapësira për bashkëpunimin industrial të mbrojtjes, duke nxitur aksesin në burime dhe zinxhirë furnizimi për të krijuar një industri konkurruese dhe të qëndrueshme të mbrojtjes;

– Rritur përpjekjet për të investuar në teknologji dhe inovacione të reja për të përshpejtuar dhe siguruar një qasje të unifikuar ndaj transformimit të sigurisë dhe mbrojtjes.

Rritja e ndërveprueshmërisë nëpërmjet edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve duke:

– Ndarë ekspertizën dhe praktikat më të mira në rekrutimin, zhvillimin dhe mbajtjen e personelit të kualifikuar, duke përfshirë shkëmbimin e koncepteve të forcave rezerviste, për të rritur kapacitetet tona parandaluese dhe mbrojtëse;

– Rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit individual dhe kolektiv përmes akademive dhe kolegjeve ushtarake përkatëse, me qëllim që të ketë kuptueshmëri më të mirë nga ana strategjike të kërcënimeve dhe sfidave të përbashkëta;

– Forcuar stërvitjet dypalëshe dhe/ose trepalëshe për të përmirësuar ndërveprueshmërinë, në përputhje me Politikat e NATO-s dhe BE-së për Trajnimet dhe Stërvitjet, për t’u siguruar që forcat të jenë të përgatitura në mënyrë adekuate.

Kundërpërgjigja ndaj kërcënimeve hibride dhe rritja e qëndrueshmërisë duke:

– Forcuar hapat e përbashkët për t’iu kundërpërgjigjur kërcënimeve hibride, duke përfshirë kërcënimet kibernetike, fushatat e dezinformimit, si dhe ndikimin dashakeq të huaj që mund të komprometojë ose të ndikojë në sigurinë kombëtare dhe rajonale;

– Shkëmbyer informacione dhe shërbime të inteligjencës për ndërgjegjësimin dhe koordinimin strategjik dhe operacional të situatës ndërmjet institucioneve të mbrojtjes për të parandaluar, zbuluar dhe reaguar në mënyrë efektive kundër sfidave që hasin vendet tona përkatëse;

– Eksploruar opsione të reagimit që adresojnë një gamë të gjerë kërcënimesh të mundshme për infrastrukturën tonë kritike dhe rrjetet e komunikimit dhe që mbështesin kohezionin dhe ndihmën e ndërsjellë.

Ofrimi i mbështetjes së plotë për integrimin euroatlantik duke:

– Përafruar politikat dhe pozicionet me institucionet dhe strukturat shumëpalëshe euroatlantike për sigurinë dhe mbrojtjen, për të çuar përpara interesat dhe objektivat tona kombëtare dhe të përbashkëta rajonale;

– Treguar angazhim për bashkëpunim dhe koordinim më të ngushtë për integrimin e plotë të Kosovës në iniciativat rajonale për sigurinë mbrojtjen;

– Mbështetur perspektivën euroatlantike të Kosovës duke ofruar mbështetje për statusin e saj në Partneritetin për Paqe të NATO-s.

Kjo Deklaratë e Përbashkët është bërë në frymën e miqësisë, solidaritetit dhe besimit të ndërsjellë. Ajo pasqyron vizionet e përbashkëta strategjike të Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Kosovës. Ajo nuk krijon asnjë detyrim të ri ligjor ndërkombëtar ose ndërqeveritar ndërmjet shteteve, as nuk ndikon në detyrimet ekzistuese me shtetet e tjera.

Kategoritë
BotaLajme