Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, reagoi ndaj lajmeve se ai kishte kërcënuar Turqinë, duke deklaruar se “Serbia është një vend shumë i vogël për të kërcënuar Turqinë”, ndërsa e cilësoi presidentin turk Rexhep Tayyip Erdoğan si “udhëheqësin më të madh turk pas Mustafa Kemal Atatürk-ut”.
Pas dorëzimit nga Turqia të dronëve kamikazë Skydagger, të prodhuar nga kompania Baykar, në Kosovë, Vuçiç kishte akuzuar Ankaranë se “ëndërron ringjalljen e Perandorisë Osmane”. Mirëpo, ai tani ka zbutur tonet e tij dhe sqaruar deklaratat.
“Ne jemi shumë të vegjël për ta kërcënuar Turqinë”
Në një konferencë të jashtëzakonshme për shtyp, Vuçiç tha se fjalët e tij ishin keqinterpretuar. Ai iu referua edhe akuzave të presidente së Kosovës, Vjosa Osmani, e cila dje e kishte akuzuar se “po kërcënonte Turqinë”:
“Ne jemi shumë të vegjël për të kërcënuar Turqinë. Turqia është fuqia e dytë më e madhe në NATO. E vetmja gjë që thashë ishte se Turqia është një fuqi e madhe dhe se ne e kemi kuptuar mesazhin që na është dhënë. Por, pavarësisht sa të vegjël jemi, është detyra jonë të mbrojmë lirinë dhe të drejtën për mbijetesë të popullit tonë”, deklaroi ai.
“Erdoğan, udhëheqësi më i madh turk pas Atatürk-ut”
Në vijim të deklaratës, Vuçiç foli me tone shumë pozitive për presidentin turk:
“Ndoshta dje reagova pak më ashpër, por unë gjithmonë do ta mirëpres presidentin Erdoğan në vendin tonë. Ai ka qenë gjithmonë mik i mirë i Serbisë. Erdoğan është një udhëheqës që e rindërtoi Ankaranë nga hiçi dhe e ndryshoi fytyrën e Stambollit. Ai është udhëheqësi më i madh turk pas Mustafa Kemal Atatürk-ut. Është lider i një vendi të madh dhe roli i Turqisë për stabilitetin e këtij rajoni është jashtëzakonisht i rëndësishëm”, tha Vuçiç.
Kështu, pas tensioneve diplomatike të ditëve të fundit, Beogradi duket se ka zgjedhur të ulë tonet ndaj Ankarasë dhe të shmangë përshkallëzimin e mëtejshëm të krizës retorike me Turqinë.