Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka qëndruar në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, e cila është e vendosur në sallën “1 Tetori”.
Radoniqi ka përcjellur procesin e numërimit që ka filluar edhe në këtë Qendër Komunale të Numërimit, proces i cili ka nisur të martën në orën 16:00.
Sipas informacioneve të përditësuara nga KQZ në orën 16:00, procesi ka përfunduar në 4 QKN (Hani i Elezit, Junik, Mamushë dhe Zveçan).
Ndërkaq, në orën 16:00 të ditës së martë, ka filluar puna edhe në tri Qendrat Komunale të Numërimit: Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot, në të cilat ishin raportuar probleme me internetin.
Sipas KQZ-së, në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen 3 aktivitete të rëndësishme, njëkohsisht: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet e subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvende Komunale.
Duke u mbështetur në të dhënat e KQZ-së, deri në orën 16:00 të ditës së martë, janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjetet politike nga zgjedhjet për Kuvende Komunale nga 334 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 334, janë numëruar votat e kanidatëve nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale.