Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se presidenti rus Putin dhe presidenti amerikan Trump nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një samiti në të ardhmen
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov deklaroi të premten se presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti i SHBA-së Donald Trump nuk e kanë përjashtuar mundësinë e një samiti në të ardhmen, raporton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në Moskë, Peskov tha se ky mirëkuptim bazohet në deklaratat e tyre të fundit publike.
“Po, presidenti Trump deklaroi se aktualisht ai ka ndaluar së menduari për organizimin e një samiti. Megjithatë, gjatë dy ditëve të fundit, ai përmendi vazhdimisht se nuk e përjashton një samit të tillë që të zhvillohet në të ardhmen”, tha Peskov.
Ai thekson se meqenëse nuk kanë rënë dakord për data ose detaje specifike, do të ishte e pasaktë të sugjerohej se diçka është sabotuar. “As Trumpi dhe as Putini nuk duan të humbasin kohë. Ata nuk kanë ndërmend të mblidhen thjesht për hir të një takimi”, tha Peskov.
Zëdhënësi i Kremlinit shtoi se që një takim i udhëheqësve të jetë produktiv, puna përgatitore duhet së pari të përfundojë në nivel ministror, konkretisht “nga ministri i Jashtëm rus Sergey Lavrov dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio”.
Kur u pyet për marrëdhëniet me Ukrainën, ai e përshkroi gjendjen aktuale të negociatave si një “pauzë të zgjatur”, duke ia atribuar atë “mosgatishmërisë së Kievit për të intensifikuar procesin e negociatave”.
“Ky ngurrim nga Kievi për të përshpejtuar bisedimet e paqes” inkurajohet në mënyrë aktive kryesisht nga “mbikëqyrësit evropianë” të Ukrainës”, tha ai.
Lidhur me paralajmërimin e presidentit rus për një “përgjigje të habitshme” nëse SHBA-ja do t’i dorëzonte raketa “Tomahawk” Ukrainës, Peskov tha se Putini po i referohej çdo sulmi të tillë në përgjithësi, jo një arme specifike.











