Zëdhënësi i Kremlinit, Peskov mohoi gjithashtu çdo diskutim mbi vizitën e kthimit të presidentit rus në Damask
Rusia refuzoi të komentojë nëse çështja e ekstradimit të Bashar al-Assadit u ngrit gjatë bisedimeve midis presidentit Vladimir Putin dhe homologut të tij sirian Ahmad al-Sharaa një ditë më parë në Moskë, transmeton Anadolu.
Al-Sharaa i tha Putinit se Siria është e gatshme të rivendosë marrëdhëniet “historike dhe strategjike” me Rusinë dhe se do të respektojë të gjitha marrëveshjet e kaluara midis Moskës dhe Damaskut. Vizita shtetërore e Al-Sharaas ishte e para e tij në vendin që ka pritur Assadin që nga rrëzimi i tij në dhjetor 2024.
Putini tha se lidhjet midis Moskës dhe Damaskut kanë qenë gjithmonë “ekskluzivisht miqësore”, duke shtuar se zgjedhjet parlamentare të Sirisë muajin e kaluar ishin një “sukses i madh” dhe do të çojnë në “konsolidimin e shoqërisë”.
“Nuk kemi asgjë për të raportuar për Assadin këtu, nuk kemi asgjë për të raportuar në këtë kontekst”, u tha gazetarëve në një konferencë për mediat zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, në përgjigje të një pyetjeje nëse çështja e ekstradimit të tij në Siri u diskutua midis dy presidentëve.
Peskov gjithashtu mohoi nëse u zhvillua ndonjë diskutim për një vizitë kthimi të Putinit në Siri, por tha se ftesa të tilla mund të ofrohen përmes kanaleve diplomatike.
Ai shtoi se fati i bazave ushtarake të Rusisë, një bazë detare në Tartus dhe një bazë ajrore në Hmeimim, të dyja të vendosura në bregdetin mesdhetar të Sirisë, ishte në agjendën e bisedimeve, por nuk dha detaje të mëtejshme.