Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se vendimi për të zgjedhur Hungarinë për takimin u mor në mënyrë të ndërsjellë
Kremlini konfirmoi sot se takimi në Hungari midis presidentit rus Vladimir Putin dhe atij amerikan Donald Trump mund të zhvillohet brenda dy javëve të ardhshme, raporton Anadolu.
“Mund të zhvillohet brenda dy javësh ose pak më vonë. Ekziston një mirëkuptim i përgjithshëm se nuk ka nevojë të shtyhet asgjë”, tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov në një konferencë për mediat në Moskë.
Trump kishte konfirmuar më parë se takimi mund të mbahet në Budapest brenda dy javësh, pasi delegacionet e nivelit të lartë të takohen javën e ardhshme. Ai e quajti bisedën e tij të së enjtes me Putinin si “shumë produktive”.
Ndihmësi i Kremlinit, Yuri Ushakov ka thënë se dy presidentët zhvilluan bisedë telefonike “shumë thelbësore, por edhe jashtëzakonisht të sinqertë dhe konfidenciale”. Ai tha se të dy presidentët diskutuan mundësinë e mbajtjes së një takimi tjetër ballë për ballë dhe ranë dakord që përfaqësuesit nga të dyja palët të fillojnë menjëherë përgatitjet për një samit, me kryeqytetin hungarez si një vend të mundshëm.
Peskov u tha gazetarëve se vendimi për të zgjedhur Hungarinë për samitin u mor në mënyrë të ndërsjellë, por se logjistika e udhëtimit të Putinit për takimin nuk është ende e qartë.
Sa i përket arsyetimit pas zgjedhjes së Hungarisë si një vend të mundshëm, Peskov tha se vendi si një shtet anëtar i NATO-s dhe BE-së, ka një “pozicion unik në aspektin e sovranitetit të tij dhe në mbrojtjen e interesave të veta”.
Ai tha se presidentët janë të gatshëm të zhvillojnë një takim të tillë, por theksoi se përgatitjet për të duhet të vazhdojnë në faza dhe se çështja do të diskutohet së pari midis ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov dhe sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Marco Rubio.
“Ka shumë pyetje. Ne duhet të përcaktojmë ekipet negociuese”, tha Peskov duke refuzuar të komentojë nëse Putini dhe Trumpi diskutuan situatën rreth Traktatit “New START”, i cili do të skadojë në shkurt 2026.
I pyetur nëse një takim midis Lavrovit dhe Rubios mund të zhvillohet po ashtu në Hungari, Peskov u shpreh: “Ata do të negociojnë dhe do t’ju tregojnë vetë për këtë”.
Ai tha se Putin, gjatë telefonatës të enjten, e bëri “të qartë si kristali” qëndrimin e Rusisë mbi dërgesat e mundshme të raketave lundruese “Tomahawk” me rreze të gjatë veprimi në Ukrainë nga SHBA-ja.
Putini më parë ka shprehur shqetësim për dërgimin e raketave “Tomahawk” nga SHBA-ja në Ukrainë, duke pohuar se kjo do të “shkatërronte” lidhjet SHBA-Rusi dhe do të çonte në një “fazë krejtësisht të re, cilësisht të re të përshkallëzimit”.
Duke kujtuar komentet e Ushakovit se telefonata e së enjtes u iniciua nga pala ruse, Peskov tha se biseda u propozua nga Moska pas udhëtimit të Trumpit në Lindjen e Mesme. “Dhe mendimi i parë i presidentit Putin ishte ta përgëzonte Trumpin për këtë sukses”, shtoi ai.