Në Qendrën Komunale të Numërimit në Prishtinë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar për ecurinë e procesit të numërimit në Qendrat Komunale të Numërimit në gjithë Kosovën, raporton Ekonomia Online.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se procesi po zhvillohet sipas planifikimit në të gjitha komunat.
“Ju njoftoj se, sipas informacioneve nga komunat e ndryshme, është duke vazhduar procesi i paraparë në të gjitha Qendrat Komunale të Numërimit. Në orën 16:00 të ditës së martë procesi ka përfunduar në tri prej tyre, në Junik, Mamushë dhe Zveçan, ndërkaq në Hanin e Elezit është mbyllur të hënën në mbrëmje”, tha Elezi.
Ai shtoi se, ndërkohë, ka nisur puna edhe në disa qendra të tjera.
“Së fundmi, në orën 16:00 të ditës së martë, ka filluar puna edhe në tri Qendrat Komunale të Numërimit: Prishtinë, Podujevë dhe Kllokot”, theksoi zëdhënësi i KQZ-së.
Elezi sqaroi se në Qendrat Komunale të Numërimit zhvillohen njëkohësisht tri procese kryesore:
“Në përgjithësi, në këto qendra zhvillohen tre aktivitete të rëndësishme: verifikimi i rezultateve nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale, si dhe numërimi i votave të kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale.”
Sipas të dhënave të fundit, procesi ka avancuar dukshëm.
“Deri në orën 16:00 të ditës së martë janë verifikuar rezultatet për 550 vendvotime nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave dhe rezultatet për subjektet politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale nga 334 vendvotime. Nga po kaq vendvotime, 334, janë numëruar votat e kandidatëve për Kuvendet Komunale,” bëri të ditur Elezi.
Ndërkaq, KQZ ka bërë të ditur se në platformën zyrtare të rezultateve tashmë kanë nisur të publikohen të dhënat nga Qendrat Komunale të Numërimit.
“Të dhënat përfshijnë: rezultatet e verifikuara nga zgjedhjet për Kryetarë të Komunave, rezultatet e verifikuara të subjekteve politike nga zgjedhjet për Kuvendet Komunale, dhe votat e kandidatëve për anëtarë të Kuvendeve Komunale“, shtoi ai.