FSK njoftoi se ka dërguar këtë ekip në Gaza me qëllim që gjatë kësaj vizite të grupit të FSK-së të bëhet vlerësim paraprak dhe koordinim i aktiviteteve të dislokimit për kontigjentin e FSK-së, i cili do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës.
Një ekip i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) ka udhëtuar drejt Gazës për të realizuar rikonicionin e zonës ku do të operojnë trupat e saj, transmeton Anadolu.
FSK njoftoi se komandanti i saj, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka dërguar këtë ekip në Gaza me qëllim që gjatë kësaj vizite të grupit të FSK-së të bëhet vlerësim paraprak dhe koordinim i aktiviteteve të dislokimit për kontigjentin e FSK-së, i cili do të operojë në kuadër të misionit paqeruajtës të Forcave Stabilizuese Ndërkombëtare (ISF) në Gaza.
“Gjatë kësaj vizite, delegacioni ka zhvilluar një sërë takimesh dhe diskutimesh me autoritete nacionale për administrimin e Gazës dhe ekipet përkatëse, si dhe me përfaqësues të Qendrës Koordinuese Civilo-Ushtarake (CMCC), e cila operon nën mbikëqyrjen e Bordit të Paqes, në përputhje me Rezolutën 2803 të OKB-së”, thuhet në njoftimin e FSK-së.
FSK njoftoi se gjatë këtyre takimeve është diskutuar rreth procesit të integrimit të kontingjentit të FSK-së, zhvillimit të operacioneve të përbashkëta, si dhe koordinimit të mbështetjes logjistike.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës e miratuan marrëveshjen për dërgimin e FSK-së në Gaza më 17 prill.
Kryeministri Albin Kurti ka vlerësuar se FSK-ja është e gatshme të marrë pjesë në këtë forcë paqeruajtëse dhe për ta ndihmuar popullin e Gazës, edhe për shkak se vetë Kosova ka qenë përfituese e forcave ndërkombëtare që nga vitit 1999.









