Kosovë, Lista Serbe dërgon sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese

Lista Serbe pretendon se me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb Nenad Rashiq, janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës e Kuvendit si dhe aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

Lista Serbe ka dorëzuar sërish ankesë në Gjykatën Kushtetuese, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës.

Nëpërmjet një njoftimi për media, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, Lista Serbe, pretendon se me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, Nenad Rashiq, janë shkelur Kushtetuta, Rregullorja e Punës e Kuvendit si dhe aktgjykimi i mëparshëm i Gjykatës Kushtetuese.

“Kemi kërkuar vendosjen e një mase të përkohshme për të ndaluar veprimet antikushtetuese që mund të shkaktojnë dëme të pakthyeshme”, thuhet në njoftimin e Listës Serbe, partisë e cila gëzon mbështetjen e Beogradit.

Legjislatura e Nëntë e Kuvendit të Kosovës u konstituua më 10 tetor, me zgjedhjen e Nenad Rashiqit si nënkryetar nga radhët e komunitetit serb.

Më 10 tetor fillimisht u propozuan emrat e nëntë deputetëve të Listës Serbe për pozitën e nënkryetarit të Kuvendit, por ata nuk morën votat e nevojshme nga deputetët.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit Dimal Basha kërkoi që zgjedhja e nënkryetarit serb të vazhdojë përmes shortit, duke i mundësuar deputetit tjetër serb, Nenad Rashiq nga partia “Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë” të zgjidhet nënkryetar me votat e shumicës parlamentare.

Lista Serbe konsideron se zgjedhja e Rashiqit është “jolegjitime” dhe paralajmëron se zgjedhjet do të humbasin kuptimin, nëse shumica e deputetëve shqiptarë u imponon serbëve përfaqësues, duke legalizuar ashtu “dhunën e shumicës ndaj pakicës”.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi