Kosovë, gratë fermere prezantojnë produktet e tyre në panair

Kosovë, gratë fermere prezantojnë produktet e tyre në panair

“Një nga problemet thelbësore me të cilat përballet komuniteti i grave në këtë fushë janë pronat, sepse vetëm 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave”, tha ministri i Bujqësisë, Armend Muja.

Gratë fermere nga zonat rurale të Kosovës kanë ekspozuar në një panair produktet nga shitja e të cilave ato jetojnë, me rastin e shënimit të Ditës së Gruas Rurale, raporton Anadolu.

Në panairin e organizuar nga “EcoKosWomen”, morën pjesë ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Armend Muja, përfaqësues nga Komuna e Prishtinës dhe rreth 50 gra pjesëmarrëse në panair, shqiptare dhe nga komunitetet joshumicë në vend.

Ministri Muja në fjalën e tij tha se këto ditë shërbejnë edhe për përllogaritjen disa nga sfidat e komuniteteit të grave rurale.

“Në bazë të të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë, 15 për qind e përfituesve të skemave të ministrisë, janë gra. Por, një nga problemet thelbësore me të cilat përballet komuniteti i grave në këtë fushë janë pronat, sepse vetëm 5 për qind e pronave në Kosovë janë në pronësi të grave dhe kjo është barriera e parë strukturore të cilën dëshirojmë ta tejkalojmë”, theksoi Muja.

Në tendën e ngritur në sheshin kryesor të Prishtinës, gratë po ekspozojnë dhe shesin turshi, ajvar, nënprodukte të qumështit, mjaltë, çajra natyrale, e të tjera.

Dita e grave rurale shërben si një kujtesë për të njohur rolin që ato luajnë në modelimin e peizazhit bujqësor. Është një mundësi për të festuar arritjet e tyre dhe për të ngritur ndërgjegjen për sfidat që hasin dhe për të promovuar barazinë gjinore në sektorin bujqësor.

Kategoritë
LajmeVendi