Udhëheqja e Koresë së Veriut shfaqi raketën e re balistike ndërkontinentale të vendit për herë të parë dje në mbrëmje në paradën e parë të madhe ushtarake në dy vjet.
Agjencia zyrtare e lajmeve të Koresë së Veriut KCNA tha se raketa, e cila iu prezantua të ftuarve ndërkombëtarë, ishte sistemi më i fuqishëm i armëve strategjike bërthamore.
Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, thuhet se u bëri thirrje forcave të armatosura që të zhvillohen në një entitet “të pamposhtur” që do të mund të shkatërronte të gjitha kërcënimet.
Parada ushtarake në Sheshin Kim Il Sung, erdhi me rastin e 80-vjetorit të themelimit të Partisë së Punëtorëve të Koresë në pushtet.
Midis spektatorëve ishin kryeministri kinez Li Qiang, ish-presidenti i Rusisë Dmitry Medvedev dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam. Një foto i tregonte të tre së bashku me Kim.
Foto të tjera nga parada treguan raketën balistike ndërkontinentale me lëndë djegëse të ngurtë “Hwasong-20”, 1 metër e gjatë, duke kaluar pranë spektatorëve me flamuj të Koresë së Veriut.
Besohet se rrezja e veprimit të armës është mjaft e madhe për të arritur objektivat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas KCNA-së, ushtria shfaqi edhe sisteme të tjera armësh, të tilla si raketa hipersonike.
Në fjalimin e tij, Kim foli për “shpirtin heroik luftarak” dhe “fitoren” që forcat e armatosura kishin arritur në fushat e betejës së huaja për drejtësi ndërkombëtare dhe paqe të vërtetë.
Koreja e Veriut fillimisht furnizoi Rusinë me raketa dhe municione artilerie për luftën e saj kundër Ukrainës dhe më vonë dërgoi edhe disa mijëra ushtarë, sipas vlerësimeve.