Kryediplomati i Kosovës, ndër të tjera, ka kritikuar faktin që raporti i UNMIK-ut i referohet sulmit të vitit 2023 në Banjskë si “ngjarje e dhunshme”, “në vend se të përmendet ashtu siç është: sulm terrorist”.
Zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka kritikuar raportin e UNMIK-ut për Kosovën, duke e cilësuar atë si selektiv dhe duke pretenduar se pjesë të tij bazohen në propagandën serbe dhe përmbajnë dezinformata për vendin, raporton Anadolu.
Duke folur në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ku po përfaqëson Kosovën, Konjufca ka kundërshtuar mënyrën se si raporti i referohet sulmit në Banjskë të 24 shtatorit 2023, duke thënë se ai duhet të cilësohet si sulm terrorist dhe jo thjesht si “ngjarje e dhunshme”.
“Është po ashtu fatkeqësi të shohim që prapë edhe sulmi paramilitar në Banjskë, i orkestruar, i organizuar, i mbështetur nga Beogradi zyrtar përmes Milan Radoiçiqit, referohet e përmendet në këtë raport si një ‘ngjarje e dhunshme’ në vend se të përmendet ashtu siç është: sulm terrorist”, ka deklaruar Konjufca.
Ai ka thënë se raporti nuk i pasqyron plotësisht përpjekjet e institucioneve të Kosovës për sundimin e ligjit, stabilitetin dhe garantimin e lirisë së lëvizjes, duke kundërshtuar, gjithashtu, atë që e ka cilësuar si keqpërdorim të konotacioneve etnike dhe keqinterpretim të veprimeve institucionale
Konjufca tha se Kosova ka shënuar përparim në shumë fusha si një nga demokracitë më stabile të Evropës Juglindore, duke përmendur përparimin në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut.
“Vlerësimet e pavarura tregojnë që kemi arritur sukses në luftën kundër korrupsionit, përforcim të sundimit të ligjit, si dhe institucione demokratike që mbrojnë të drejtat dhe liritë e njeriut dhe avancojnë demokracinë”, ka deklaruar ai.
Konjufca po ashtu tha se Serbia po vazhdon kërcënimet ndaj Kosovës, duke ekspozuar, sipas tij, synimet e saj ekspansioniste territoriale.
Kryediplomati kosovar tha se zyrtarët serbë po e sfidojnë hapur Kosovën, derisa personat që kanë kryer krime në Kosovë po vazhdojnë të jetojnë të lirë.
– Due kërkon përgjegjësi për sulmin në Banjskë dhe Ibër-Lepenc
Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm (PSSP) të OKB-së dhe Shefi i UNMIK-ut, Peter N. Due, gjatë prezantimit të raportit të fundit për Kosovën, ka folur për situatën në Kosovë, me fokus zhvillimet politike, gjendjen e sigurisë, dialogun Kosovë–Serbi dhe Gjykatën Speciale.
Due ka bërë thirrje për bashkëpunim të plotë të autoriteteve në Kosovë dhe Serbisë, në mënyrë që përgjegjësit për sulmin në Banjskë dhe atë ndaj kanalit të Ibër-Lepencit të mbahen përgjegjës.
Ai po ashtu ka bërë thirrje që Kosova dhe Serbia të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian dhe të zbatohen marrëveshjet ekzistuese.
Duke ka folur edhe për aktgjykimin dënues të Gjykatës Speciale ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, që pasoi me protesta në Kosovë.
“Demonstratat gjetiu pasuan këtë aktgjykim, shumica prej të cilave mbetën paqësore. Përgjithësisht, Policia e Kosovës është sjellë në mënyrë paqësore gjatë këtyre 21 ditëve të protestave. Koordinimi dhe ndarja e informatave me Kombet e Bashkuara ishte joadekuate, por jo edhe me vendet ndërkombëtare. I kam ngritur këto çështje në Prishtinë dhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Kuvendi miratoi ndryshime, duke kufizuar kompetencat e Speciales”, tha Due, duke shtuar se çdo veprim legjislativ duhet të jetë në përputhje me obligimet ligjore dhe ndërkombëtare të Kosovës.
Tutje, ai ka theksuar rëndësinë e zbardhjes së fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës së fundit në Kosovë, duke thënë se i dërguari i BE-së për dialogun, Peter Sorensen, ka vazhduar përpjekjet për këtë çështje.
Edhe ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, ka folur për aktgjykimin dënues ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, derisa e ka kritikuar Kosovën e Shqipërinë për reagimet kundër gjykatës.
Gjuriq ka thënë se zbardhja e fatit të personave të zhdukur me dhunë gjatë luftës “nuk mund të varet nga negociatat politike”.
Ai kritikoi edhe miratimin e ndryshimeve të Ligjit për Gjykatën Speciale në Kuvendin e Kosovës, ngase, siç shtoi Gjuriq, “aktgjykimi përcakton përgjegjësinë individuale, nuk shpall fajësi kolektive mbi popullin shqiptar”.
Raporti i UNMIK-ut, i prezantuar nga Peter Due, mbulon periudhën nga 16 marsi deri më 15 shtator 2026 në Kosovë.
