Komisarja Hadja Lahbib i kërkoi Izraelit të hapë të gjitha vendkalimet dhe të lejojë grupet e ndihmës të kthehen në Gaza
Hadja Lahbib, komisarja evropiane për barazi, përgatitje dhe menaxhim krizash, i kërkoi Izraelit të hapë të gjitha kalimet kufitare për të lejuar që ndihma humanitare të arrijë te banorët e Gazës në nevojë mes armëpushimit “të brishtë”, transmeton Anadolu.
Duke folur në Këshillin e Punëve të Jashtme të BE-së në Luksemburg, Lahbib tha se ndihma duhet të arrijë urgjentisht në Gaza “në shkallë të gjerë” dhe e quajti procesin aktual të regjistrimit të OJQ-ve “një pengesë të madhe” për ofrimin e ndihmës.
“Kemi parë në këto ditët e fundit se si armëpushimi është i brishtë. Ndihma humanitare është marrë përsëri peng”, tha ajo. “Ne duhet të kemi qasje të plotë për ndihmë humanitare për të lehtësuar vuajtjet e popullit palestinez”, shtoi zyrtarja evropiane.
Ajo u kërkoi autoriteteve izraelite të lejojnë organizatat ndërkombëtare humanitare të rihyjnë në Gaza, duke vënë në dukje se ndërsa afrohet dimri, “qindra mijëra njerëz jetojnë midis rrënojave pa shtëpi dhe pa batanije, pa gjithçka”.
“Të gjitha pikat e kalimit duhet të jenë të hapura”, tha ajo, duke shtuar se ndërsa numri i kamionëve me ndihmë që hyjnë në Gaza është rritur, ai mbetet “larg 600 kamionëve që ishin premtuar”.
Lahbib tha se Komisioni Evropian ka vendosur të rrisë kontributin e tij me 50 milionë euro për të mbështetur operacionet humanitare dhe përsëriti nevojën që diplomacia të zëvendësojë dhunën.