Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, tha se kjo stërvitje po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke.
Një kontingjent i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) po merr pjesë në stërvitjen fushore “Winter Exercise ‘23” duke u stërvitur me forcat turke dhe me forca nga 8 vende tjera partnere që po mbahet në Kars të Republikës së Türkiye-s.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Armend Mehaj, në rrjetet sociale tha se kjo stërvitje po zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar dhe partneritetit me forcat turke.
“Qëllimet e stërvitjes përfshijnë sigurimin e bashkëpunimit dhe koordinimit në operacionin e kombinuar, testimin e aftësive luftarake të trupave, rritjen e sinkronizimit të zjarrit dhe manovrimit, trajnimin e trupave në tema kyçe si: dislokimi, shërbimi i ushqimit, veshmbathja, furnizimi dhe aktivitetet e mirëmbajtjes, mbijetesën, si dhe funksionimin e sistemit të komandës dhe kontrollit në dëborë dhe kushte të vështira dimri”, njoftoi Mehaj.
FSK në këtë stërvitje është duke marrë pjesë me një kontingjent të përbërë me kapacitete të këmbësorisë së mekanizuar, mortajave, kërkim-shpëtimit dhe oficerë stafi.
