Gjenerali Ulutas tha se prioriteti i tij kryesor në krye të komandës do të jetë ruajtja e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Komandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, gjeneralmajor Ozkan Ulutas, ka pritur të hënën Ambasadorin e Turqisë në Kosovë, Sabri Tunç Angılı, në selinë e KFOR-it në kampin “Film City”.
Takimi, i mbajtur në fillim të mandatit të gjeneralit Ulutas, ishte një mundësi për të shkëmbyer qëndrime mbi situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Ai theksoi përkushtimin e KFOR-it për të garantuar stabilitetin dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme të Turqisë dhe kontributin e saj në KFOR.
Gjenerali Ulutas deklaroi se prioriteti i tij kryesor në krye të komandës do të jetë ruajtja e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjitha komunitetet në Kosovë.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.