Komandanti i FSK-së priti në takim Shefin e Mbrojtjes së Turqisë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, priti sot me ceremoni ushtarake Shefin e Mbrojtjes së Turqisë, Gjeneral Selçuk Bayraktaroğlu.

Komandanti i FSK-së, fillimisht e uroi Gjeneralin Bayraktaroğlu për emërimin e tij në këtë pozitë pastaj e falënderoi për vizitën në Kosovë. Të dy gjeneralët diskutuan për bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet FSK-së dhe Forcave të Armatosura të Turqisë, si dhe për mundësitë e zgjerimit të këtij bashkëpunimi në fushat e trajnimeve, edukimit dhe mbështetjes në ngritjen e kapaciteteve ushtarake të FSK-së.

Gjithashtu Gjenerallejtënant Jashari e falënderoi Gjeneralin Bayraktaroğlu për mbështetjen e vazhdueshme që Republika e Turqisë i ka dhënë forcës sonë në ngritjen e kapaciteteve profesionale.

Nga ana e tij, Shefi i Mbrojtjes së Turqisë rikonfirmoi përkushtimin e vendit të tij për të vazhduar dhe thelluar bashkëpunimin me FSK-në, duke vlerësuar lartë zhvillimin dhe profesionalizmin e ushtrisë së Kosovës.

Të dy Gjeneralët u pajtuan për vazhdimin e zgjerimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit  bilateral në fushën e mbrojtjes.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi