Kina thirrje komunitetit ndërkombëtar të ndjekë vendimin e GJND-së mbi krizën humanitare të palestinezëve

Gjykata e lartë e OKB-së vendosi që Izraeli është i detyruar sipas Konventës së Gjenevës të lehtësojë programet e ndihmës të palëve të treta për refugjatët palestinezë

Kina i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të “ndjekë udhëzimet” e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) për të zbutur krizën humanitare me të cilën po përballen palestinezët, transmeton Anadolu.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kinës, Guo Jiakun, tha në një konferencë për shtyp në Pekin se mendimi këshillimor i GJND-së “ka bërë të qartë se Izraeli ka detyrimin të bashkëpunojë me OKB-në dhe agjenci të tjera për të siguruar ofrimin e ndihmës humanitare për popullsinë në territoret palestineze të pushtuara”.

“Shpresoj që bashkësia ndërkombëtare të ndjekë udhëzimet e dokumentit të opinionit të GJND-së, të lehtësojë krizën humanitare që përjeton populli palestinez dhe të punojë pa u lodhur për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme të çështjes palestineze”, shtoi ai.

Komentet e tij vijnë pasi gjykata më e lartë ndërkombëtare vendosi të mërkurën se Izraeli është i detyruar sipas Konventës së Gjenevës të pranojë dhe lehtësojë programet e ndihmës të ofruara nga shtete të treta dhe organizata humanitare të paanshme – përfshirë Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) dhe Agjencinë e OKB-së për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) – për të garantuar që ndihma e mjaftueshme të arrijë në Rripin e Gazës.

Duke iu referuar parashtresës së Kinës para GJND-së për këtë rast, Guo tha se sqarimi i gjykatës më të lartë të OKB-së “është një përgjigje ndaj shqetësimeve dhe pritshmërive të bashkësisë ndërkombëtare”.

“Ne do të vazhdojmë të luajmë rol konstruktiv në çështjet që lidhen me të drejtën ndërkombëtare dhe do të ndërmarrim veprime konkrete për të mbrojtur drejtësinë dhe paanshmërinë ndërkombëtare, si dhe për të promovuar përparimin e sundimit të ligjit në nivel global”, shtoi ai.

“Qëndrimi i Kinës për çështjen palestineze është i qëndrueshëm dhe i qartë. Ne gjithmonë mbështesim drejtësinë dhe e mbështesim fuqishëm kauzën e drejtë të popullit palestinez”, përfundoi zëdhënësi.

Kategoritë
BotaLajme