Qindra aktivistë janë arrestuar pasi marina izraelite sulmoi flotën e ndihmës humanitare me destinacion Gazën në ujërat ndërkombëtare
Ministria e Jashtme e Izraelit tha se katër aktivistë italianë nga Flotilja Globale “Sumud” që shkonte në Gaza janë deportuar, ndërsa qindra pjesëmarrës të tjerë nga misioni humanitar mbeten në paraburgim pas një sulmi izraelit, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë në kompaninë amerikane të mediave sociale X, ministria tha se “procedurat janë duke u zhvilluar për të finalizuar deportimin e pjesëmarrësve”, duke shtuar se katër italianë ishin dëbuar tashmë dhe të tjerët janë “në proces deportimi”.
Ministria nuk i publikoi emrat e të deportuarve.
Forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan anije të Flotiljes të enjten dhe arrestuan më shumë se 450 aktivistë nga mbi 50 vende. Flotilja kishte tentuar të dërgonte ndihmë humanitare në Gaza dhe të sfidonte bllokadën e Izraelit ndaj enklavës.
Izraeli ka mbajtur bllokadën në Gaza, shtëpi e gati 2.4 milionë njerëzve, për gati 18 vjet.
Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë mbi 66 mijë palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë pothuajse të pabanueshme, ndërsa bllokada e ka shtyrë Gazën drejt një gjendjeje urie, me mungesë ilaçesh dhe furnizimesh mjekësore.