Katari dënon shkeljen e marrëveshjes së armëpushimit nga Izraeli në Gaza

“Izraeli ka shkelur të gjitha ligjet dhe normat ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve”, tha emiri i Katarit. Al Thani

Katari denoncoi të martën shkeljet e vazhdueshme të marrëveshjes së armëpushimit në Gaza nga Izraeli, transmeton Anadolu.

“Ne përsërisim dënimin tonë për të gjitha shkeljet dhe praktikat izraelite në Palestinë, veçanërisht transformimin e Rripit të Gazës në një zonë të pabanueshme dhe shkeljen e vazhdueshme të armëpushimit”, tha emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, në seancën hapëse të Këshillit Shura, këshillit legjislativ të Katarit.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, të paktën 80 persona janë vrarë dhe 303 janë plagosur nga ushtria izraelite në Rripin e Gazës që nga hyrja në fuqi e armëpushimit më 10 tetor.

“Rripi i Gazës është pjesë integrale e territoreve palestineze dhe shtetit të bashkuar palestinez”, tha Sheikh Tamim. Ai shprehu denoncimin e Katarit për zgjerimin e vendbanimeve të paligjshme izraelite në Bregun Perëndimor dhe përpjekjet për të judaizuar kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar.

Emiri i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare që ta mbajë Izraelin përgjegjës për luftën e tij gjenocidale në Rripin e Gazës dhe të sigurojë mbrojtje për civilët në enklavë.

“Izraeli ka shkelur të gjitha ligjet dhe normat ndërkombëtare që rregullojnë marrëdhëniet midis shteteve duke sulmuar një vend që vepron si ndërmjetës dhe duke u përpjekur të vrasë anëtarë të delegacionit”, tha ai duke iu referuar sulmit izraelit ndaj delegacionit të Hamasit në Doha.

“Ne e konsideruam këtë agresion një akt terrorizmi shtetëror dhe përgjigjja globale ishte mjaft e fortë për të tronditur autorët”, shtoi ai.

Më 9 shtator, Izraeli nisi sulme ajrore në kryeqytetin e Katarit, Doha, në një përpjekje për të vrarë udhëheqjen e grupit palestinez Hamas, i cili ishte i pranishëm në atë kohë për negociatat e armëpushimit.

Një marrëveshje armëpushimi hyri në fuqi më 10 tetor në Rripin e Gazës, bazuar në një plan me faza të paraqitur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Faza e parë përfshinte lirimin e pengjeve izraelite në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Plani parashikon rindërtimin e Rripit të Gazës dhe krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës pa Hamasin.

Që nga tetori 2023, lufta gjenocidale izraelite ka vrarë mbi 68.200 palestinezë në enklavë dhe ka plagosur më shumë se 170.200 të tjere, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës.

Kategoritë
BotaLajme