Pas Arabisë Saudite, edhe Katar, Oman dhe Iraku i janë bashkuar valës së dënimeve ndaj sulmeve ajrore amerikane mbi objektet bërthamore të Iranit, duke shprehur shqetësim të thellë dhe duke paralajmëruar për pasoja të rënda në stabilitetin rajonal.
Sulltanati i Omanit, i cili gjatë muajve të fundit ka pasur rol ndërmjetësues në negociatat bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit, e cilësoi ndërhyrjen si një “akt të paligjshëm agresioni”.
Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme të Omanit thuhet se sulmet përbëjnë një shkelje të rëndë të së drejtës ndërkombëtare dhe të Kartës së Kombeve të Bashkuara, duke bërë thirrje për një deeskalim të menjëhershëm dhe gjithëpërfshirës.
“Sulltanati është thellësisht i shqetësuar për pasojat e këtij sulmi, i cili mund të zgjerojë konfliktin dhe të destabilizojë të gjithë rajonin”, deklaroi zëdhënësi i ministrisë, sipas agjencisë shtetërore ONA.
Katar gjithashtu reagoi ashpër, duke paralajmëruar se rritja e tensioneve mund të sjellë pasoja katastrofike, jo vetëm për Lindjen e Mesme, por edhe për rendin ndërkombëtar. Ministria e Jashtme e Katarit bëri thirrje për ndalimin urgjent të të gjitha operacioneve ushtarake dhe kthimin në dialog si e vetmja rrugë drejt një zgjidhjeje paqësore.
“Përkeqësimi i situatës ekzistuese kërcënon të shkatërrojë tërësisht stabilitetin rajonal,” thuhet në deklaratën zyrtare të Katarit.
Edhe Iraku e dënoi fuqishëm ndërhyrjen ajrore, duke deklaruar se sulmet ndaj objekteve bërthamore iraniane përbëjnë një kërcënim serioz për paqen dhe sigurinë në rajon. Qeveria irakiane theksoi se çdo përshkallëzim i mëtejshëm mund të sjellë pasoja të paparashikueshme për të gjithë Lindjen e Mesme.
Këto reagime vijnë në një moment kur konflikti mes Izraelit, Iranit dhe palëve të përfshira ndërkombëtare është në kulmin e tij, ndërsa shumë vende të rajonit kërkojnë zgjidhje diplomatike dhe përmbajtje të menjëhershme.