Kapje historike në Kroaci: Shtetasit shqiptar i konfiskohet mbi 700 mijë euro në kufi

Dogana kroate ka realizuar një nga operacionet më të mëdha të sekuestrimit të parave në historinë e vendit, pranë Dubrovnikut.

Në pikën kufitare Karasoviq, zyrtarët doganorë të Shërbimit për Luftimin e Kontrabandës dhe Hetimeve, në bashkëpunim me Policinë e Dubrovnikut-Neretvë, ndaluan një automjet që drejtohej nga një shtetas shqiptar gjatë daljes nga territori i Kroacisë.

Gjatë kontrollit të automjetit u konstatua se shtetasi shqiptar nuk kishte deklaruar në mënyrë të shkruar apo elektronike shumën e parave që mbante me vete, në vlerë prej 702.435 eurosh, siç kërkohet nga ligji doganor. Paratë ishin fshehur në pjesë të ndryshme të makinës.

Sasia e madhe e parave u sekuestrua menjëherë, ndërsa shoferi u arrestua nën dyshimin për kryerjen e një vepre penale financiare.

Autoritetet kroate kanë bërë të ditur se në ditët e fundit është zhvilluar edhe një tjetër aksion i rëndësishëm në kufirin mes Kroacisë dhe Sllovenisë, ku janë sekuestruar mbi 14 milionë cigare, me vlerë tregu të vlerësuar në rreth 4 milionë euro.

Kategoritë
LajmeRajoni