Aktivisti italian Tommaso Bortolazzi, kapiten i anijes Maria Cristin që ishte pjesë e Flotilës Globale Sumud (GSF), pranoi Islamin gjatë kohës që ishte në paraburgim nga forcat izraelite, pasi flotila u ndalua në ujërat ndërkombëtare gjatë rrugës drejt Gazës.
Flotila, e përbërë nga rreth 44 anije dhe disa qindra aktivistë nga vende të ndryshme, u nis nga Barcelona më 30 gusht me qëllim që të dorëzonte ndihma humanitare për banorët e Gazës. Forcat izraelite i ndaluan anijet natën e 1 tetorit, arrestuan disa pjesëmarrës, përfshirë Bortolazzin, dhe disa prej tyre i deportuan më 4 tetor.
Pas lirimit, kapiteni italian foli në Stamboll me gazetarët, duke treguar se përvoja në paraburgim dhe besimi i shokëve të tij turq e frymëzuan të pranonte Islamin.
Në pamjet që janë shpërndarë në rrjetet sociale shihet Bortolazzi me një kefije palestineze bardh e zi, teksa flet për përvojën e tij dhe fenë e re që kishte përqafuar.
“Ekuipazhi im ishte nga Turqia dhe pothuajse të gjithë ishin myslimanë. Gjatë namazit, hynë policët izraelitë dhe i ndërprenë. E ndjeva se duhej të kundërshtoja këtë, dhe pas kësaj, bashkë me shokun tim, shqiptova shehadetin,” tha Bortolazzi për mediat turke.
Para se të shqiptonte shehadetin, Bortolazzi kishte pyetur nëse Zoti do ta pranonte si mysliman, duke pasur parasysh tatuazhet e tij. Shoku i tij turk, Bakir Devili, e siguroi se feja është çështje bindjeje e jo pamjeje dhe e ndihmoi të shqiptonte deklaratën islame të besimit.
Devili tregoi se Bortolazzi e kishte pranuar Islamin gjatë transportimit në automjetin e burgut.
“E përsëriti shehadetin në automjetin e burgut dhe u bë mysliman. Kur të gjithë e uruan, policia izraelite e hodhi në qeli. I thashë: ‘Tommy, sapo fillove të paguash çmimin e Islamit tënd që në sekondën e dhjetë pas pranimit të tij,’” tregoi Devili.
Bortolazzi e përshkroi kalimin e tij në Islam si një moment ndriçimi të thellë dhe paqeje të brendshme.
“U ndjeva sikur u rilinda,” tha ai, duke shprehur solidaritet me palestinezët dhe mirënjohje për shokët e tij nga paraburgimi.
Lufta izraelite kundër Gazës, e filluar më 7 tetor, ka shkatërruar pjesë të mëdha të enklavës dhe ka marrë më shumë se 67.100 jetë civilësh, shumica gra dhe fëmijë.