Gjeneralët e ushtrisë amerikane kanë humbur besimin në ministrin e mbrojtjes Pete Hegseth, për shkak të deklaratave publike, vendimeve të diskutueshme dhe gjendjes kaotike në Pentagon nën drejtimin e tij, ka raportuar The Washington Times.
Sipas këtij mediumi, Hegseth ka humbur respektin e eprorëve ushtarakë për shkak të “vetëpromovimit të tepruar publik” që konsiderohet joprofesional, si dhe për shkak të vendimeve të gabuara kadrovike, të cilat kanë shkaktuar largimin masiv të kuadrove me përvojë nga Pentagoni.
Shumë oficerë të lartë e përshkruan fjalimin e tij të 30 shtatorit para qindra gjeneralëve dhe admiraleve të mbledhur në bazën detare Quantico në Virxhinia si pikë kthese në perceptimin e aftësive dhe stilit të tij të udhëheqjes.
Zyrtarë të lartë e cilësuan atë fjalim si “të turpshëm” dhe “teatral”, duke thënë se ishte “poshtë nivelit të institucionit”.
“Ishte një humbje e madhe kohe. Nëse ndonjëherë na ka pasur pas vetes, atëherë në atë moment na humbi përfundimisht,” tha një gjeneral aktual i ushtrisë amerikane për The Washington Times.
Kritikë ndaj trupave dhe rrezik sigurie
Vendimi i Hegseth-it për të mbledhur të gjithë gjeneralët amerikanë në një vend u vlerësua si i rrezikshëm nga pikëpamja e sigurisë kombëtare, pasi ekspozonte boshllëqe në zonat ku SHBA ka prezencë ushtarake aktive.
Gjatë fjalimit, Hegseth kishte kritikuar ushtarët për mjekra të gjata, kishte folur për “mungesë disipline” dhe kishte dhënë deklarata që shumë i përshkruan si absurde dhe nënvlerësuese, çka ka çuar në prishjen e plotë të besimit mes tij dhe komandës së lartë ushtarake.
Hetime të brendshme dhe censurë në Pentagon
Prej disa muajsh, ministri i mbrojtjes po zhvillon hetimet e brendshme për rrjedhjen e informacionit nga një grup komunikimi në aplikacionin Signal, ku zyrtarët kishin diskutuar për sulmet amerikane në Jemen.
Në kuadër të kësaj kampanje, Hegseth ka kufizuar hyrjen e mediave tradicionale në Pentagon, ka shkarkuar dhjetëra bashkëpunëtorë dhe ka nisur ndjekje të brendshme ndaj personave që ai i konsideron fajtorë për rrjedhjen e informacionit.
Megjithë këtë situatë kaotike dhe pakënaqësitë e thella në strukturat e mbrojtjes, presidenti amerikan Donald Trump e ka lavdëruar publikisht Hegseth-in, duke bërë të qartë se nuk ka ndërmend ta shkarkojë nga detyra.