Kandidati për Senatin amerikan kërkon të vendosë sanksione ndaj Turqisë derisa Aja Sofja të shndërrohet në kishë

Mark Lynch, i cili po përpiqet në zgjedhjet paraprake republikane të mposhtë senatorin Lindsey Graham dhe të bëhet kandidat republikan për senator nga Karolina e Jugut, në një publikim të ri ka problematizuar statusin e Aja Sofisë dhe ka kërcënuar me sanksione ndaj Turqisë derisa ajo të kthehet në kishë.

“Nën mbikëqyrjen e Lindsey Grahamit, katedralja e njohur e krishterë Hagia Sophia iu dorëzua myslimanëve në vitin 2020, gjoja në emër të Kombeve të Bashkuara. Në vend që të kundërshtonte dorëzimin e Aja Sofisë myslimanëve, Lindsey Graham heshti. Ai as nuk kërcënoi Kombet e Bashkuara dhe as nuk përdori fuqinë e tij politike kundër Turqisë për ta ndaluar këtë ‘uzurpim’”, ka shkruar Lynch.

Bëhet fjalë për një informacion të pasaktë, pasi Turqia ka marrë një vendim sovran për ta kthyer Aja Sofinë nga muze sërish në xhami.

“Shndërrimi i Aja Sofisë në xhami ishte një nga padrejtësitë më të mëdha në historinë e krishterimit. Katedralja u përket të krishterëve dhe do t’u kthehet, nën mbikëqyrjen time, të krishterëve, në pronësi të Kishës Ortodokse Greke. Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2025 kanë importuar mallra nga Turqia në vlerë prej 17.52 miliardë dollarësh. Sapo të bëhem senatori i ri i Karolinës së Jugut në Senatin amerikan, do të propozoj një ligj me të cilin do të ndalohet çdo import nga Turqia derisa Aja Sofia t’u kthehet të krishterëve. Ligji që do të propozoj do të quhet ‘Ligji për kthimin e Aja Sofisë Kishës’. Do t’i ftoj të gjithë priftërinjtë e krishterë (ortodoksë, katolikë dhe protestantë) në Kapitolin amerikan në ditën e prezantimit të ligjit për të ushtruar presion ndaj Kongresit që ta miratojë atë, çka do të nënkuptonte ndalimin e të gjitha importeve nga Turqia (mbi 17 miliardë dollarë në vit) derisa pronësia mbi Aja Sofinë t’i jepet Kishës Ortodokse Greke”, ka shkruar Lynch në publikim.

Ai ka theksuar se si senator do të luftojë për të “ndaluar marrjen e kishave të krishtera nga Islami, veçanërisht në Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Kategoritë
BotaLajme