Kancelari gjerman: Plani për Gazën sjell shpresë të re për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme

Kancelari gjerman Friedrich Merz riafirmoi mbështetjen e vendit të tij për planin e armëpushimit në Rripin e Gazës të presidentit amerikan, duke e quajtur atë arritje “historike”

Kancelari gjerman Friedrich Merz riafirmoi sot mbështetjen e vendit të tij për planin e armëpushimit në Rripin e Gazës të presidentit të SHBA-së Donald Trump, duke e quajtur atë arritje “historike” që sjell shpresë për paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme, transmeton Anadolu.

“Që nga e hëna, ka patur shpresë të përtërirë për paqe të vërtetë dhe të qëndrueshme në rajon. Kemi parë se çfarë është e mundur kur komuniteti ndërkombëtar punon së bashku”, tha Merz në fjalimin e tij para parlamentit gjerman.

Ai shprehu mirënjohje ndaj presidentit amerikan Trump dhe udhëheqësve të Turqisë, Katarit dhe Egjiptit për rolin e tyre vendimtar në sigurimin e armëpushimit në Gaza, i cili lehtësoi lirimin e pengjeve izraelite dhe të burgosurve palestinezë, duke mundësuar njëkohësisht që ndihma humanitare të arrijë tek populli i Gazës.

“Do të doja të shprehja falënderimet e mia për krerët e shteteve dhe qeverive që u përfshinë për ta bërë të mundur këtë si dhe zbatimin e saj. Kjo përfshin presidentin egjiptian Al-Sisi, Emirin e Katarit Al Thani dhe presidentin turk Erdoğan”, tha Merz.

“E gjithë kjo ishte e mundur sepse shtetet dhe krerët e qeverive punuan së bashku me vendosmëri të palëkundur për t’i dhënë fund kësaj lufte të tmerrshme. Ne të gjithë u detyrohemi atyre falënderimet tona”, tha udhëheqësi konservator, duke marrë duartrokitje nga ligjvënësit.

Të hënën, presidenti amerikan Trump dhe presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi organizuan një samit në Sharm el-Sheikh, duke bashkuar fuqitë botërore dhe udhëheqësit rajonalë për të mbështetur marrëveshjen e armëpushimit në Rripin e Gazës të ndërmjetësuar nga SHBA-ja.

Në fazën e parë të planit Hamasi liroi 20 pengje izraelite ndërsa Izraeli liroi gati 2.000 të burgosur palestinezë. Trupat izraelite filluan të tërhiqen nga zonat me popullsi të dendur dhe ndihma humanitare filloi të mbërrijë në Rripin e Gazës. Fazat e mëvonshme përfshijnë çarmatosjen e Hamasit, krijimin e një mekanizmi të përkohshëm qeverisës teknokratik dhe vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) për të siguruar sigurinë kufitare.

Gjatë dy viteve të fundit, ushtria izraelite ka zhvilluar një luftë brutale në Rripin e Gazës, duke vrarë gati 68 mijë palestinezë, shumica prej tyre gra e fëmijë dhe duke plagosur gati 170 mijë të tjerë.

Muajin e fundit, një komision hetimor ndërkombëtar i pavarur i OKB-së arriti në përfundimin se Izraeli po kryen gjenocid në Rripin e Gazës. Rrethimi dhe bllokada e ndihmës kanë shkaktuar zi buke që ka vrarë qindra palestinezë në muajt e fundit.

Kategoritë
BotaLajme