Takimi i thirrur nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, me liderët e partive politike ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje konkrete për krijimin e qeverisë së re. Pas takimit, qëndrimet e krerëve politikë treguan ndarje të thella rreth mundësisë së formimit të shumicës parlamentare dhe datës së zgjedhjeve të reja.
Kurti: “Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta”
Kryeministri në detyrë dhe lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, refuzoi t’u përgjigjej pyetjeve të gazetarëve pas takimit. Ai u mjaftua me një deklaratë të shkurtër:
“Kushtetuta dhe ligjet janë të qarta”, tha Kurti, pa dhënë më shumë detaje.
Krasniqi: “Do ta krijojmë qeverinë e re pa Albin Kurtin dhe VV-në”
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, tha pas takimit se është vërtetuar që askush nuk ka shumicë për formimin e qeverisë në legjislaturën aktuale.
“Së paku 52 deputetë nga katër parti shqiptare dhe disa minoritare kanë deklaruar qartë se nuk janë pjesë e asnjë shumice. Kjo matematikisht e bën të pamundur krijimin e një shumice të re,” tha ai.
Sipas tij, kjo situatë e imponon shpalljen e zgjedhjeve të reja.
“PDK konsideron që e diela e parë brenda afatit kushtetues duhet të jetë data e zgjedhjeve. Shpresoj që deri më 5 nëntor presidentja të marrë vendimin për shpalljen e tyre,” shtoi Krasniqi, duke nënvizuar se opozita është e gatshme të krijojë qeverinë e ardhshme “pa Albin Kurtin dhe pa Vetëvendosjen”.
Haradinaj: “Presidentja vendos deri më 5 nëntor”
Edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, konfirmoi se në takim është folur për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja.
“Presidentja kërkoi sqarim nëse ekziston shumica për qeveri. Besoj që më 5 nëntor do të marrim lajmin për shpërndarjen e parlamentit,” deklaroi Haradinaj, duke shtuar se data 7 dhjetor mund të jetë një opsion për mbajtjen e zgjedhjeve.
Abdixhiku: “Nuk ka shumicë parlamentare”
Ndërkohë, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, tha se pas takimit është bërë krejtësisht e qartë se nuk ekziston shumicë parlamentare për formimin e qeverisë së re.
“Tani i takon presidentes të vendosë për datën e zgjedhjeve. Ne ishim të qartë që nuk kemi as legjitimitet as mundësi për një shumicë të re,” deklaroi ai.
Abdixhiku shtoi se takimi përfshiu edhe diskutime për çështje buxhetore dhe planin e rritjes ekonomike, por se fokusi kryesor mbeti mbi nevojën për zgjedhje të reja sa më parë.
Pritet që Presidentja Vjosa Osmani të marrë vendimin për shpalljen e zgjedhjeve deri më 5 nëntor, në përputhje me afatet kushtetuese.
Të gjitha partitë opozitare u shprehën në favor të zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa Vetëvendosje nuk dha ndonjë qëndrim të qartë pas takimit.
 
					






 
					












