Partia konservatore në pushtet në Japoni ka zgjedhur Sanae Takaichi si lidere të saj të re, gjë që do të thotë se 64-vjeçarja do të bëhet edhe kryeministrja e parë e Japonisë. Takaichi është ndër kandidatet më konservatore që anon drejt krahut të djathtë të partisë. Ajo përballet me shumë sfida, përfshirë bashkimin e partisë në pushtet e cila është tronditur nga disa vite turbulente, skandale dhe konflikte të brendshme.
Po ashtu, ajo duhet të përballet me ekonominë e “ngadalësuar” dhe familjet japoneze që po luftojnë me inflacionin e pamëshirshëm dhe pagat e ngrira. Nëse konfirmohet, asaj do t’i duhet të menaxhojë marrëdhëniet e vështira mes SHBA-së dhe Japonisë dhe të zbatojë marrëveshjen tregtare me administratën Trump, e cila ishte arritur nga qeveria e mëparshme.
Muajin e kaluar, kryeministri Shigeru Ishiba, mandati i të cilit zgjati pak më shumë se një vit, njoftoi dorëheqjen pas një sërë humbjesh zgjedhore, ku koalicioni qeverisës i Partisë Liberal-Demokratike (LDP) humbi shumicën në të dy dhomat e parlamentit.
Takaichi është simpatizante e kahershme e kryeministres së parë britanike, Margaret Thatcher. Tani ajo është më pranë realizimit të ambicies së saj për t’u bërë “Zonja e Hekurt”. Mediat gjithashtu raportojnë se dikur ka rënë në daulle në një bend dhe është e apasionuar pas muzikës heavy metal.
Ajo është një konservatore e ashpër, e cila prej kohësh kundërshton legjislacionin që do t’u lejonte grave të mbanin mbiemrin e vajzërisë pas martesës, duke thënë se kjo bie ndesh me traditën. Ajo gjithashtu është kundër martesave mes të njëjtës gjini.
Takaichi është vizitore e rregullt e tempullit kontrovers Yasukuni, ku përkujtohen të rënët në luftërat japoneze, përfshirë edhe disa kriminelë lufte të dënuar.
Ka gjasa që parlamenti ta konfirmojë, megjithatë jo automatikisht si paraardhësit e saj, pasi partia në pushtet është tani në një pozitë shumë më të dobët pas humbjes së shumicës në të dy dhomat.
Takaichi përkrah rishikimin e kushtetutës pacifiste të Japonisë pas Luftës së Dytë Botërore, në mënyrë që të pranohet roli i ushtrisë së saj në rritje. Këtë vit ajo propozoi që Japonia mund të formojë një “aleancë kuazisigurie” me Tajvanin, për të cilin Kina pretendon se ka të drejtë sovraniteti.