Marrëveshja mes Hamasit dhe Izraelit, me të cilën u shkëmbyen të burgosurit nga të dyja palët, është bërë arsyeja e një fushate të re nga lobistët izraelitë në Shtetet e Bashkuara, e cila po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale.
Në platformën X, disa përdorues me ndikim të madh — të lidhur ngushtë me rrjetet lobuese pro-izraelite në SHBA — shpërndanë pretendimin e rremë se nuk ka pasur gra në mesin e të liruarve, sepse “Hamas i kishte vrarë të gjitha”.
Ashtu si në rastet e mëparshme, fushatën e udhëhoqi Laura Loomer, një influencuese e njohur e ekstremit të djathtë, e cila është e famshme për qëndrimet e saj pro-izraelite dhe islamofobike.
“A kanë mbetur gjallë vetëm 20 pengje? Vetëm burra. Hamasi i ka vrarë dhe përdhunuar gratë,” shkroi Loomer. Por ajo nuk u ndal me kaq — në një postim pasues, e përshkroi islamin si një ‘kult vdekjeje’.
“Është koha që (presidenti amerikan Donald) Trump të përballet me islamin. Nuk mund ta lejojmë këtë kult vdekjeje të shkatërrojë vendin tonë dhe të vrasë e përdhunojë gra në SHBA. Ky është islami, barbarizëm i pastër,” shkroi ajo.
Të njëjtin narrativ e shpërndanë edhe profile të tjera të ekstremit të djathtë, të lidhura me qeverinë në Tel Aviv, duke tentuar të përforcojnë përshtypjen e rreme se Hamas kishte eliminuar të gjitha gratë pengje.
Në realitet, këto pretendime janë plotësisht të pavërteta. Hamasi lëshoi vetëm pengjet meshkuj sepse gratë ishin liruar tashmë në marrëveshjet e mëparshme, ku ato kishin prioritet.
Përveç grave, më parë ishin liruar edhe burrat mbi moshën 50 vjeç dhe fëmijët, të cilët kishin përparësi në raundet e hershme të negociatave. Si pasojë, në listën e fundit të pengjeve mbetën vetëm burra nën moshën 50 vjeç, nga të cilët 20 u liruan pas nënshkrimit të marrëveshjes së fundit për armëpushim.