Izraeli pritet që sonte të miratojë marrëveshjen për armëpushim në Gaza, por disa pyetje ende mbeten pa përgjigje

Izraeli pritet që sonte të miratojë marrëveshjen për armëpushim në Gaza, por disa pyetje ende mbeten pa përgjigje. Mbledhja e qeverisë izraelite, ku do të merret vendimi për miratimin e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza, do të zhvillohet sonte pas takimit të kabinetit të sigurisë të thirrur nga kryeministri Benjamin Netanyahu.

Pas miratimit të marrëveshjes nga Izraeli, armëpushimi do të hyjë në fuqi brenda 24 orëve – që do të thotë se mund të zbatohet që nesër – ndërsa të burgosurit izraelitë mund të lirohen në fillim të javës së ardhshme.

Ende nuk është e qartë nëse Izraeli dhe Hamasi do të bien dakord për kushtet e tjera të propozuara nga presidenti amerikan Donald Trump, që lidhen me çështjet më të ndjeshme mbi të ardhmen e Gazës pas përfundimit të luftës.

Me hyrjen në fuqi të armëpushimit, forcat izraelite do të fillojnë tërheqjen e pjesshme nga Gaza, një proces që pritet të zgjasë më pak se 24 orë. Po ashtu, do të ekzistojë një afat 24-orësh gjatë të cilit mund të paraqiten ankesa në Gjykatën e Lartë të Izraelit kundër marrëveshjes.

Pasi të përfundojë ky afat, Hamasi do të ketë 72 orë kohë për të liruar robërit, shkruan CNN.

Palët ndërluftuese nuk janë pajtuar ende për pikat kryesore të planit më të gjerë me 20 pika të publikuar muajin e kaluar nga Trump. Plani i tij i bënte thirrje Hamasit të “angazhohej për bashkëjetesë paqësore” me Izraelin dhe të dorëzonte armët. Anëtarët e Hamasit që do të pranonin planin do të amnistoheshin. Çarmatimi ka qenë gjithmonë vijë e kuqe për këtë grup.

Plani parashikonte gjithashtu krijimin e një “qeverie të përkohshme kalimtare” në Gaza, të përbërë nga një “komitet palestinez teknokrat dhe apolitik” me ekspertë palestinezë dhe ndërkombëtarë, nën mbikëqyrjen e një “Trupi të ri Ndërkombëtar Kalimtar” të quajtur Komiteti për Paqe.

Sipas planit, do të krijoheshin edhe “Forcat Ndërkombëtare të Stabilizimit”, që do të vendoseshin në Gaza për të trajnuar forcat policore palestineze të verifikuara. Me vendosjen e këtyre forcave, pritej që Ushtria Izraelite e Mbrojtjes (IDF) të tërhiqej nga Gaza. Izraeli ende nuk ka pranuar këto dispozita.

Hamasi, nga ana tjetër, kërkon garanci konkrete që Izraeli nuk do të rifillojë luftën pas përfundimit të saj, duke kujtuar se në mars Izraeli kishte shkelur marrëveshjen e mëparshme të armëpushimit. Nëse Hamasi bie dakord për çarmatimin, ka gjasa të kërkojë garanci më të forta sigurie — por ende nuk është e qartë nëse Izraeli do të pranojë.

Kategoritë
BotaLajme