Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND), në opinionin e saj këshillues të dhënë të mërkurën, theksoi se Izraeli ka detyrimin ligjor për t’i lejuar UNRWA-s të sigurojë ndihmë humanitare në Gaza
Pavarësisht opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), raportohet se qeveria izraelite nuk do të lejojë agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) të kryejë aktivitete të ndihmës në Gaza, transmeton Anadolu.
GJND-ja, në opinionin e saj këshillues të dhënë dje, theksoi se Izraeli ka detyrimin ligjor për t’i lejuar UNRWA-s të sigurojë ndihmë humanitare në Gaza.
Sipas një lajmi nga transmetuesi publik KAN, Izraeli nuk do t’i lejojë UNRWA-s të marrë pjesë në aktivitetet e ndihmës në Gaza, pavarësisht qëndrimit të GJND-së.
Një zyrtar izraelit ka deklaruar në kushte anonimiteti se “UNRWA nuk do të vendosë më asnjë hap në Gaza”.
Në lajm thuhet se Izraeli e ka dërguar këtë mesazh edhe tek administrata amerikane, duke paralajmëruar se UNRWA nuk do të përfshihet në aktivitetet ndihmëse në Gaza.
Qeveria izraelite nuk ka lejuar UNRWA-n, organizata më e madhe humanitare në rajon, të shpërndajë ndihma që nga marsi.
Sipas raportimeve, UNRWA ka ndihma në depo që mund të mbushin mijëra kamionë, të cilat do të mjaftonin për të përmbushur nevojat ushqimore të të gjithë palestinezëve në Gaza për tre muaj.
Po ashtu, UNRWA ka materiale për strehim që do të mund të akomodojnë 1,3 milion palestinezë të pastrehë për shkak të shkatërrimit të Gazës, por për shkak të ndalimit të Izraelit, këto materiale nuk mund të dërgohen në rajon.