Në dy vitet e fundit 77 palestinezë humbën jetën në burgjet izraelite
Forcat izraelite kanë arrestuar më shumë se 20.000 palestinezë në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe në Kudsin Lindor në dy vitet e fundit, transmeton Anadolu.
Shoqata e të Burgosurve Palestinezë ka publikuar një raport mbi ndalimet në rritje të palestinezëve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar që nga 8 tetori 2023, kur ushtria izraelite nisi gjenocidin e saj në Rripin e Gazës.
Raporti vuri në dukje se më shumë se 20.000 palestinezë janë ndaluar në Bregun Perëndimor dhe në Kudsin Lindor në dy vitet e fundit. Prej tyre 1.660 ishin fëmijë dhe 595 ishin gra.
Më tej në raport u tha se forcat izraelite sulmuan dhe keqtrajtuan palestinezët dhe familjet e tyre gjatë këtyre ndalimeve.
Është raportuar se 77 palestinezë, 46 prej të cilëve u ndaluan në Rripin e Gazës, kanë humbur jetën në burgjet izraelite, ku tortura dhe keqtrajtimi janë gjithnjë e më të përhapura, në dy vitet e fundit.
Krime të tilla si uria, tortura fizike dhe psikologjike dhe sulme seksuale u kryen kundër palestinezëve në burgjet izraelite.
Raporti bëri të ditur gjithashtu se përderisa numri i palestinezëve në burgjet izraelite ishte 5.250 dy vjet më parë, ky numër tani ka tejkaluar shifrën 11.100.