Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Izraelit, Oren Marmorstein, ka deklaruar se Izraeli e refuzon kategorikisht mendimin këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), sipas të cilit nuk janë paraqitur prova që punonjës të agjencisë së Kombeve të Bashkuara për refugjatët palestinezë (UNRWA) kanë punuar për Hamasin.
Marmorstein e cilësoi vendimin e Gjykatës si “plotësisht të parashikueshëm” dhe e përshkroi si “një tjetër përpjekje politike për të imponuar masa ndaj Izraelit nën petkun e ‘të drejtës ndërkombëtare’”.
“Derisa sot, UNRWA vazhdon të punësojë mbi 1.400 operativë të Hamasit,” – pohoi ai, duke shtuar se Izraeli nuk do të bashkëpunojë me këtë organizatë humanitare.
Sipas tij, Izraeli “i përmbush plotësisht detyrimet e veta sipas të drejtës ndërkombëtare” dhe “e refuzon politizimin e ligjit ndërkombëtar, që synon të prodhojë rezultate politike dhe të imponojë masa që dëmtojnë shtetin izraelit”.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë e Kombeve të Bashkuara publikoi të mërkurën një mendim juridik në të cilin thekson se Izraeli, si fuqi okupatore, është i detyruar të bashkëpunojë me agjencitë e OKB-së për të lehtësuar ndihmën humanitare në Rripin e Gazës — një qortim i drejtpërdrejtë ndaj bllokadës së vendosur ndaj enklavës palestineze më herët gjatë këtij viti.
Në të njëjtin mendim, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se Agjencia e OKB-së për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë (UNRWA) – organi kryesor i Kombeve të Bashkuara që kujdeset për refugjatët palestinezë – nuk ka shkelur parimin e paanshmërisë në veprimtarinë e saj.