Izraeli do tu lejojë banorëve të Gazës të kthehen në enklavë përmes pikës Rafah për herë të parë që nga fillimi i luftës

“Kthimi i banorëve të Gazës do të fillojë pasi të jetë krijuar një mekanizëm me palën egjiptiane dhe më pas do të përcaktohen kriteret, fushëveprimi i punës dhe i gjithë procesi”

Izraeli synon t’u lejojë palestinezëve të ngecur jashtë Rripit të Gazës të kthehen në enklavë përmes pikës së kalimit të shkatërruar të Rafahut në kufirin me Egjiptin për herë të parë që nga 7 tetori i vitit 2023, pasi të krijojë një mekanizëm me palën egjiptiane, transmeton Anadolu.

“Për herë të parë që nga 7 tetori i vitit 2023, banorët e Gazës që u larguan nga enklava nga Egjipti do të lejohen të kthehen në Rripin e Gazës”, tha Radioja e ushtrisë izraelite.

Megjithatë, ajo gjithashtu theksoi se “kthimi i banorëve të Gazës do të fillojë pasi të jetë krijuar një mekanizëm me palën egjiptiane dhe më pas do të përcaktohen kriteret, fushëveprimi i punës dhe i gjithë procesi”.

Radioja pretendon se kjo është ajo që thuhet në aneksin humanitar të marrëveshjes së armëpushimit.

“Tel Avivi do t’u lejojë banorëve të Gazës të largohen nga enklava për në Egjipt përmes pikës së kalimit Rafah, duke përdorur të njëjtin mekanizëm si në marrëveshjen e janarit të vitit 2025, pas miratimit izraelit dhe nën mbikëqyrjen dhe inspektimin e misionit të BE-së pasi nuk do të vendosen kufizime për largimin nga Gaza për në Egjipt”, thuhet më tej.

– Marrëveshja e janarit

Në janar të vitit 2025, Izraeli lejoi pacientët, të plagosurit dhe shoqëruesit e tyre të largohen nga Rripi i Gazës në koordinim me OKB-në dhe organizatat ndërkombëtare, teksa disa prej tyre u penguan të udhëtojnë për arsye të sigurisë, pavarësisht ashpërsisë së gjendjes së tyre shëndetësore.

Sipas Radios ushtarake izraelite, marrëveshja lejon që 600 kamionë ndihme në ditë të hyjnë në Rripin e Gazës përmes OKB-së, organizatave ndërkombëtare të akredituara dhe sektorit privat.

Marrëveshja gjithashtu përcakton se konvojet do të lejohen të udhëtojnë lirshëm nga jugu i Rripit të Gazës në veri, duke përdorur dy rrugë kryesore, rrugën Salah al-Din në lindje dhe rrugën Al-Rashid në perëndim

Kategoritë
BotaLajme