Pas publikimit të informacioneve se aktivistët e Global Sumud Flotilla ndodhen në kushte të tmerrshme në burgjet izraelite, ministri izraelit i sigurisë kombëtare, Itamar Ben-Gvir, sërish doli publikisht duke tronditur opinionin botëror.
Duke komentuar këto raportime, ai deklaroi se është krenar për kushtet e rënda me të cilat përballen aktivistët në burgun ku janë mbajtur dhe ku presin deportimin.
“E vizitova burgun Ketziot dhe isha krenar që ndaj ‘aktivistëve të flotiljes’ sillemi si ndaj mbështetësve të terrorizmit. Kushdo që mbështet terrorizmin është terrorist dhe meriton kushtet në të cilat jetojnë terroristët… Ia vlen që të përjetojnë kushtet në burgun Ketziot dhe të mendojnë dy herë para se t’i afrohen sërish Izraelit. Kështu funksionon,” tha ai.
Ben-Gvir këmbëngul se flotilja nuk i ka ofruar asnjë ndihmë Gazës, pavarësisht pretendimeve të saj.
“Kam qenë aty, në anijet e tyre, nuk pashë ndihmë e as ndonjë organizatë humanitare. Pashë vetëm një kuti qumështi për foshnja (Materna) dhe një grup të tërë njerëzish që shtirreshin si aktivistë të të drejtave të njeriut, por në realitet kishin ardhur për të mbështetur terrorizmin dhe për të festuar në kurrizin tonë,” tha Ben-Gvir.