“Rreth dhjetë italianë janë ndaluar. Atyre do t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme konsullore, së bashku me një kërkesë drejtuar qeverisë izraelite për të siguruar respektimin e të drejtave individuale deri në momentin e dëbimit”, tha Tajani
Ministri i Punëve të Jashtme i Italisë, Antonio Tajani, ka deklaruar se ambasada dhe konsullata italiane në Tel Aviv kanë monitoruar nga afër që nga mëngjesi i hershëm bllokimin e një flote të re nga marina izraelite që shkonte drejt Gazës, transmeton Anadolu.
“Rreth dhjetë italianë janë ndaluar. Atyre do t’u ofrohet e gjithë ndihma e nevojshme konsullore, së bashku me një kërkesë drejtuar qeverisë izraelite për të siguruar respektimin e të drejtave individuale deri në momentin e dëbimit”, tha Tajani në platformën sociale të kompanisë amerikane X.
Ai theksoi se “njësia e krizës e Ministrisë së Punëve të Jashtme (Farnesina) është gjithashtu në punë”.
Sot herët, sipas iniciativës humanitare, Marina izraelite sulmoi të gjitha nëntë anijet e “Një mijë Madlene” të Koalicionit të Flotiljes së Lirisë (FFC) për në Gaza në ujërat ndërkombëtare, afër 120 milje detare (222 kilometra) nga enklava.
Anijet e flotiljes transportonin ndihma me vlerë mbi 110 mijë dollarë në ilaçe, pajisje respiratore dhe furnizime ushqimore për spitalet e Gazës.
Rreth 100 persona thuhet se ishin në bordin e grupit të anijeve për të sfiduar rrethimin izraelit të Gazës.
Ministria e Punëve të Jashtme e Izraelit tha se pasagjerët janë transferuar në një port izraelit dhe pritet të deportohen “menjëherë”.
FFC-ja, e themeluar në vitin 2010, ka nisur dhjetëra misione që synojnë shpërndarjen e ndihmës dhe tërheqjen e vëmendjes globale ndaj krizës humanitare në Rripin e Gazës së rrethuar nga Izraeli.
Grupi i fundit i anijeve u nis pasi forcat detare izraelite sulmuan dhe sekuestruan më shumë se 40 anije që lundronin drejt Gazës javën e kaluar për të sfiduar bllokadën izraelite dhe arrestuan më shumë se 450 aktivistë në bord.
Izraeli për plotë 18 vite vazhdon ta mbajë Gazën në bllokadë, ku banojnë gati 2,4 milionë njerëz dhe e shtrëngoi më tej rrethimin në muajin mars, kur mbylli pikat kufitare dhe bllokoi shpërndarjen e ushqimit dhe ilaçeve, duke e çuar enklavën drejt urisë.
Që nga tetori i vitit 2023, bombardimet izraelite kanë vrarë të paktën 67.200 palestinezë në Gaza, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, si dhe e ka kthyer enklavën praktikisht në të pabanueshme.