“Italia është gati të bëjë pjesën e saj”, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni pas Samitit në Egjipt
Italia është më afër njohjes së shtetit të Palestinës pas marrëveshjes për armëpushim në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe Hamasit, tha kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, transmeton Anadolu.
“Është e qartë se nëse plani zbatohet, njohja e Palestinës nga Italia me siguri do të jetë më afër”, u tha Meloni gazetarëve në margjinat e Samitit të Paqes në Sharm el-Sheikh të Egjiptit, sipas agjencisë së lajmeve ANSA.
Ajo theksoi se Italia synon të mbështesë krijimin e një shteti palestinez, duke vazhduar mbështetjen e saj humanitare për popullin e Gazës. Meloni potencoi se Italia është e gatshme të ndihmojë në stabilizimin e Gazës, përfshirë vendosjen e forcave të karabinierëve nëse kërkohet nga një rezolutë e OKB-së.
“Italia është e gatshme të bëjë pjesën e saj. Është një mundësi e shkëlqyer. Është një ditë historike. Jam krenare që Italia është këtu”, tha ajo.
Meloni e përshkroi marrëveshjen e armëpushimit si “një sukses të madh” për presidentin e SHBA-së, Donald Trump, duke shtuar: “Ne i urojmë më shumë (sukses), duke filluar nga Ukraina”.
Javën e kaluar, Trump njoftoi se Izraeli dhe grupi palestinez Hamas kishin rënë dakord për fazën e parë të një plani që ai paraqiti më 29 shtator për të sjellë armëpushim në Gaza, për të liruar të gjithë robërit izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe për tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës. Faza e parë e marrëveshjes hyri në fuqi të premten.
Faza e dytë e planit kërkon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza, formimin e një force shumëkombëshe dhe çarmatimin e Hamasit. Më herët të hënën, lirimi i palestinezëve të burgosur në burgjet izraelite filloi pasi Hamasi liroi të 20 robërit e gjallë izraelitë që mbaheshin në Rripin e Gazës.
Që nga tetori i vitit 2023, në sulmet e Izraelit janë vrarë mbi 67.800 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë kryesisht të pabanueshme.