Italia e paralizuar nga greva e përgjithshme në shenjë solidariteti me flotiljen e Gazës

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë Italinë në një grevë të përgjithshme, duke ndërprerë portet, trafikun hekurudhor dhe autostradat, në solidaritet me Flotiljen Globale “Sumud” dhe popullin e Gazës

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë në të gjithë Italinë në një grevë të përgjithshme të organizuar nga sindikata CGIL dhe sindikatat bazë të punëtorëve, duke ndërprerë portet, trafikun hekurudhor dhe autostradat, në shenjë solidariteti me Flotiljen Globale “Sumud” dhe popullin e Gazës, transmeton Anadolu.

Sindikata CGIL pretendon se 100 mijë njerëz morën pjesë në protestën në Milano, megjithëse policia vlerësoi se ishin mbi 50 mijë pjesëmarrës.

Demonstruesit mbushën sheshin “Piazza Leonardo Da Vinci”, duke valëvitur flamuj palestinezë dhe duke brohoritur “Palestina e Lirë”. Në Gjenova 40 mijë njerëz marshuan nga terminali i trageteve në qendër të qytetit, ndërsa të paktën 10 mijë u mblodhën në Brescia.

Protestuesit në Romë marshuan nga “Piazza Vittoria” në stacionin Termini duke mbajtur pankarta “Ndaloni gjenocidin, ne të gjithë jemi Flotilja Globale Sumud”.

Stacioni kryesor i kryeqytetit italian raportoi anulime dhe vonesa deri në 80 minuta. Porti i Napolit u mbyll nga më shumë se 10 mijë protestues ndërsa portet Livorno dhe Salerno gjithashtu u bllokuan.

Udhëheqësi i sindikatës CGIL, Maurizio Landini, e mbrojti grevën si “plotësisht legjitime”, duke u zotuar se do të kundërshtojë vendimin e autoritetit të grevës se ishte e paligjshme për shkak të mungesës së njoftimit paraprak.

“Ne po garantojmë shërbime minimale dhe do të apelojmë”, tha ai.

Udhëheqësja e Partisë Demokratike, Elly Schlein, gjithashtu marshoi në Romë, duke bërë thirrje për “mbrojtjen e të drejtës për grevë” ndërsa kreu i bashkisë së Barit, Vito Leccese kërkoi “armëpushim, paqe dhe njohje të shtetit palestinez”. Guvernatori i Toskanës, Eugenio Giani tha se rajoni i tij kërkon “paqe, humanizëm dhe drejtësi”.

Zv/kryeministri italian Matteo Salvini e denoncoi grevën si “të paligjshme” dhe kërkoi dënime më të ashpra.

“Ata që organizojnë greva të paligjshme duhet të paguajnë për dëmet”, tha ai.

Ndërkaq, ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto paralajmëroi se bllokimi i porteve dhe hekurudhave “nuk do t’u sjellë lehtësim palestinezëve”.

Aksionet u përhapën edhe jashtë vendit, me stafin e ambasadave italiane dhe instituteve kulturore në Madrid, Barcelonë dhe Lisbonë që iu bashkuan grevës.

Kategoritë
BotaLajme