“Italia e gatshme të kontribuojë në forcën ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza”

“Është thelbësore të konsolidohen kushtet tani që paqja të zgjasë”, tha ministri i Jashtëm Antonio Tajani

Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, tha se Italia është gati të marrë pjesë në “forcën ndërkombëtare të stabilizimit” në Gaza, si pjesë e planit të armëpushimit të udhëhequr nga SHBA-të, transmeton Anadolu.

“Siç e dini, plani i Trumpit përfshin vendosjen e një Force Ndërkombëtare Stabilizimi (ISF) në Gaza. Siç e kanë konfirmuar kryeministrja dhe ministri i mbrojtjes, Italia është gati të bëjë pjesën e saj, duke u mbështetur në përvojën e fortë dhe të njohur të fituar gjatë viteve në shumë kontekste komplekse ndërkombëtare”, tha Tajani në një konferencë në Dhomën e Deputetëve, raportoi agjencia e lajmeve ANSA.

Ai shtoi se qeveria do të përfshijë parlamentin në të gjitha vendimet në lidhje me pjesëmarrjen e Italisë në forcë, duke shprehur shpresë për “unitet qëllimi midis të gjitha forcave politike”.

Tajani e përshkroi planin e armëpushimit si një “pikë kthese historike” të mundshme për Lindjen e Mesme dhe Mesdheun, pavarësisht, sipas tij, çështjeve të pazgjidhura siç është çmontimi i strukturës ushtarake të grupit palestinez Hamas.

“Shumë viktima të pafajshme dhe shumë të mbijetuar që kërkojnë ushqim, kujdes mjekësor dhe mbi të gjitha, siguri dhe shpresë për të ardhmen e tokës së tyre. Sot, kjo është shpresa e madhe që shtrihet përpara. Kjo e ardhme më në fund mund të jetë e arritshme”, tha ai.

Ai nënvizoi se qeveria italiane i ka mbështetur përpjekjet për paqe që nga fillimi, duke u përqendruar në ruajtjen e dialogut me autoritetet izraelite dhe palestineze dhe në lehtësimin e vuajtjeve të civilëve palestinezë.

Tajani njoftoi se qeveria do të mbajë një takim më vonë të mërkurën për të diskutuar rindërtimin e Gazës, duke kujtuar kontributin prej 5 milionë eurosh të Italisë për planifikimin e rindërtimit të Autoritetit Palestinez.

“Është thelbësore të konsolidohen kushtet tani që paqja të zgjasë, me perspektivën e dy shteteve që jetojnë së bashku në paqe dhe siguri. Unë besoj se askush nuk do të dëshirojë vërtet të kthehet prapa”, shtoi ai.

Javën e kaluar, presidenti i SHBA-së Donald Trump njoftoi se Izraeli dhe Hamasi kishin rënë dakord për fazën e parë të një plani që ai paraqiti më 29 shtator për të sjellë një armëpushim në Gaza, lirimin e të gjithë robërve izraelitë në këmbim të të burgosurve palestinezë dhe një tërheqje graduale të forcave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës. Faza e parë e marrëveshjes hyri në fuqi të premten.

Faza e dytë e planit kërkon krijimin e një mekanizmi të ri qeverisës në Gaza pa pjesëmarrjen e Hamasit, formimin e një force shumëkombëshe dhe çarmatimin e Hamasit.

Që nga tetori i vitit 2023, sulmet izraelite kanë vrarë mbi 67.900 palestinezë në enklavë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, dhe e kanë bërë atë kryesisht të pabanueshme.

Kategoritë
BotaLajme