Ish-presidenti slloven pozon në pizhame me një bionde në shtrat: “Kaq e neveritshme”

Ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, ditët e fundit ka tërhequr vëmendjen e publikut me postime të pazakonta në rrjetet sociale.

Në profilet e tij zyrtare në Facebook dhe Instagram janë publikuar fotografi ku ai shfaqet me pizhame, në një atmosferë të çlodhur shtëpiake, por më së shumti polemika ka shkaktuar fotografia ku Pahor shihet në shtrat, duke përqafuar një bionde pa pjesën e sipërme të veshjes.

Pahor, në postim, ka promovuar një markë të njohur të pizhameve, duke i prezantuar ato si dhuratë ideale për festat e fundvitit.

Fotot në Instagram shkaktuan reagime të shumta nga ndjekësit, pavarësisht se bëhej fjalë për një fushatë marketingu. “Kaq e neveritshme”, “Disi e papërshtatshme”, “Kush është biondja në shtrat?” dhe “Do të mund të isha unë aty”, ishin disa prej komenteve që u lanë poshtë postimit.

Pahor edhe më herët ka qenë i njohur për qasjen spontane dhe të drejtpërdrejtë në rrjete sociale. Postimet e tij, shpesh të mbushura me humor dhe kontraste të papritura – si fotografia me kostum elegant në plazhin e Budvës – rregullisht tërheqin mijëra pëlqime dhe reagime.

Ndryshe, Pahor gjatë studimeve ka punuar si model, dhe atëkohë ka fituar nofkën “Barbika” për shkak të paraqitjeve të tij. Edhe pse kanë kaluar shumë vite që prej asaj periudhe, postimet e tij të fundit tregojnë se aftësitë para kamerës i ka ende të zhvilluara.

Kategoritë
BotaLajme