Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy merr kërcënime me vdekje në burg, prokuroria nis hetimet

Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy, i cili këtë javë ka filluar të vuajë dënimin në burgun La Santé në Paris, ka marrë kërcënime me vdekje, ka konfirmuar prokuroria franceze.

Prokuroria e Parisit bëri të ditur se është hapur një hetim zyrtar pas marrjes së informacioneve nga drejtori i burgut.

“Prokuroria e Parisit është njoftuar nga drejtoria e burgut La Santé për një video që qarkullon në rrjetet sociale, e cila duket se është regjistruar nga një i burgosur dhe që përmban kërcënime me vdekje në momentin e mbërritjes së Nicolas Sarkozy-t në institucion,” thuhet në njoftimin zyrtar.

Autoritetet shtuan se tre të burgosur janë marrë në pyetje në kuadër të hetimit, ndërsa dy telefona celularë janë sekuestruar gjatë kontrollit të qelive.

Siguri e posaçme për ish-presidentin

Pas mbërritjes në burg, me kërkesë të Ministrisë së Brendshme, Sarkozy është vendosur nën mbrojtje të veçantë. Dy agjentë të Shërbimit të Mbrojtjes (SDLP) janë caktuar të patrullojnë 24 orë në ditë pranë qelisë së tij.

Sarkozy, që drejtoi Francën nga viti 2007 deri në 2012, filloi të martën ekzekutimin e një dënimi me pesë vjet burg, prej të cilëve një pjesë mund të vuhet në kushte alternative. Ai u dënua për pjesëmarrje në një organizatë kriminale në lidhje me financimin e paligjshëm të fushatës së tij presidenciale të vitit 2007.

Kategoritë
BotaLajme