Shejh Ekrima Sabri, hatib i Xhamisë Al-Aksa dhe ish-myfti i Jerusalemit dhe territoreve palestineze, ka lëshuar një fetva me të cilën u bën thirrje myslimanëve që namazin e Bajramit ta falin sa më afër kësaj shenjtërie, e cila është e mbyllur tash e më shumë se dy javë.
Sipas platformave palestineze, fetvaja u bën thirrje besimtarëve që të drejtohen drejt kompleksit të Al-Aksasë dhe të falen sa më pranë mureve të saj. Në të njëjtën kohë, rekomandohet që xhamitë në të gjithë Jerusalemin të mbyllen dhe që namazi i Bajramit të mos falet brenda tyre.
Forcat izraelite të dielën penguan besimtarët të shënojnë Natën e Kadrit në kompleksin e Al-Aksasë, i cili atëherë ishte i mbyllur për ditën e 17-të radhazi. Qindra persona u detyruan që këtë natë, e cila shënohet më 27 të muajit të Ramazanit, ta kalojnë jashtë mureve të xhamisë.
Besimtarët falën namazin e jacisë dhe teravive në rrugët pranë portave Bab al-Sahira dhe Bab al-Amud në Qytetin e Vjetër, i cili ishte nën bllokadë të plotë. Forcat izraelite ishin të vendosura në numër të madh në terren, duke kryer kontrolle dhe, sipas raportimeve, duke shqetësuar popullsinë lokale.
Ndërkohë, vendet anëtare të Ligës Arabe kanë dënuar ashpër vazhdimin e mbylljes së Xhamisë Al-Aksa nga autoritetet izraelite, duke theksuar se kjo u pamundëson besimtarëve kryerjen e faljeve dhe riteve fetare, veçanërisht gjatë muajit të Ramazanit dhe dhjetëditëshit të fundit të tij.









