Zëvendësministri iranian i Rinisë dhe Sportit, Alireza Rahimi, u bëri thirrje të rinjve që të formojnë një “zinxhir njerëzor” rreth centraleve elektrike në të gjithë vendin.
Ky lajm vjen pas kërcënimeve të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, se SHBA do të bombardojë infrastrukturën publike të Iranit nëse nuk hapet sërish Ngushtica e Hormuzit.
“I bëj thirrje gjithë rinisë, personaliteteve të kulturës dhe artit, sportistëve dhe kampionëve që të marrin pjesë në fushatën kombëtare ‘Zinxhiri njerëzor i rinisë iraniane për një të ardhme të ndritur’”, shkroi Alireza Rahimi në platformën X.
“Nesër, të martën në orën 14:00, pranë centraleve elektrike në mbarë vendin, pa marrë parasysh bindjet dhe shijet, do të qëndrojmë dorë për dore për të dërguar mesazhin: Sulmi ndaj infrastrukturës publike është krim lufte”, shtoi ai.
Gjatë fundjavës, Trump deklaroi se Irani ka afat deri të martën në orën 20:00 sipas kohës lindore amerikane (ET) për të arritur një marrëveshje.










