Sulmet iraniane kanë detyruar forcat amerikane që një pjesë të operacioneve t’i zhvillojnë nga hotele dhe hapësira zyrash në të gjithë Lindjen e Mesme, pasi bazat kryesore ushtarake janë dëmtuar, shkruan New York Times duke iu referuar zyrtarëve amerikanë dhe burimeve ushtarake.
Irani ka sulmuar bazat amerikane në të gjithë rajonin si përgjigje ndaj luftës SHBA-Izrael, duke detyruar shumë ushtarë të braktisin pozicionet e tyre. Sipas New York Times, një pjesë e madhe e forcave tokësore tani po e zhvillon luftën “nga distanca”, ndërsa pilotët dhe ekuipazhet e avionëve luftarakë vazhdojnë të kryejnë sulme.
Pentagoni vazhdon operacionet, por…
Garda Revolucionare iraniane u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë vendndodhjet e reja të ushtarëve amerikanë, duke u përpjekur të lokalizojë forcat e shpërndara. Zyrtarët ushtarakë amerikanë theksojnë se kjo kërcënim nuk e ndalon Pentagonin në vazhdimin e operacioneve në luftën që tashmë ka hyrë në javën e katërt.
“Deri tani kemi goditur mbi 7000 objektiva në të gjithë Iranin dhe infrastrukturën e tij ushtarake”, deklaroi javën e kaluar sekretari amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth.
“Sot do të kemi paketën më të madhe të sulmeve deri tani, ashtu siç ishte edhe dje”, shtoi ai.
Luftë nga hotele dhe qendra të improvizuara
Zhvendosja e ushtarëve në lokacione të improvizuara, që një zyrtar i përshkruan si “alternative”, ngre pikëpyetje mbi përgatitjen e administratës së presidentit Donald Trump për këtë luftë.
Në momentin e fillimit të konfliktit, në rajon ndodheshin rreth 40.000 ushtarë amerikanë. Komanda Qendrore e SHBA-së ka shpërndarë mijëra prej tyre, disa madje në Evropë, ndërsa të tjerët kanë mbetur në Lindjen e Mesme, por jo më në bazat e tyre fillestare.
Sipas zyrtarëve aktualë dhe ish-zyrtarëve ushtarakë, kjo ka rezultuar në një luftë shumë më të vështirë për t’u zhvilluar.
“Po, kemi aftësinë të krijojmë qendra të përkohshme operative, por sigurisht që humbim një pjesë të kapaciteteve”, tha Wes J. Bryant, ish-specialist i forcave ajrore amerikane.
“Nuk mund ta vendosësh gjithë atë pajisje thjesht mbi një hotel. Një pjesë e saj është shumë e madhe”, shtoi ai.
Një zyrtar amerikan theksoi se ushtarët nuk po operojnë nga çatitë e hoteleve civile.










