Importi i kanabisit në Gjermani është rritur me 400 për qind, qeveria do të kufizojë shitjen online

Qeveria gjermane miratoi të mërkurën planet për të kufizuar shitjet online të kanabisit, me qëllim që të përballet me rritjen e ndjeshme të importit të kësaj droge pas legalizimit të përdorimit të saj rekreativ vitin e kaluar.

Ndryshimi në ligjin ekzistues do të kërkojë kontakt të drejtpërdrejtë dhe personal me mjekun për marrjen e recetës së kanabisit, ndërsa do të ndalojë shpërndarjen me postë dhe do të kufizojë shpërndarjen vetëm në farmaci fizike, në mënyrë që të sigurohet këshillim i duhur profesional.

Gjermania u bë vendi i nëntë që legalizoi përdorimin rekreativ të kanabisit në prill të vitit 2024.

Sipas qeverisë, në gjysmën e parë të vitit 2025, importi i kanabisit është rritur me më shumë se 400 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

“Rritja e madhe e importit të kanabisit dhe praktika e përshkrimit të tij në internet pa asnjë kontakt mjekësor personal kërkon veprim politik,” deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Nina Warken.

Qeveria theksoi se ky rritje nuk është rezultat i një kërkese më të madhe nga pacientët rëndë të sëmurë, pasi recetat përmes sistemit të sigurimeve shëndetësore publike janë rritur vetëm me përqindje njëshifrore.

Kategoritë
BotaLajme